Bashkimi i Dhomave të Tregtisë e Industrisë të Shqipërisë
(Krijimi i institucionit që do të vihej në udhëheqje e mbështetje të sipërmarrjes shqiptare)
Dhomat e Tregtisë dhe të Industrisë – të modelit të ekonomisë së tregut – filluan të krijohen në gjashtëmujorin e dytë të vitit 1994, fill pas miratimit të Ligjit 7804 datë 10.03.1994 “Për Dhomat e Tregtisë dhe të Industrisë”. Ky proces, përfshirë edhe krijimin e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë e Industrisë të Shqipërisë (që nganjëherë quhet Unioni i Dhomave) zgjati deri në muajt e parë të vitit 1996.
Ishte koha kur kapitali privat shqiptar sapo kishte filluar të ngjizej. Ndërmarrjet shtetërore ishin ende mbizotëruese në treg. Sipërmarrjet e pakta private paraqiteshin të pasigurta. Legjislacioni në dobi të zhvillimit të sipërmarrjes private dhe reformat më të domosdoshme, për një vend që ndërton ekonominë e tregut, po konfirmoheshin me vështirësi. Vetë shteti demokratik paraqitej mjaft i brishtë; përvoja e institucioneve të pavarura ishte e pakët dhe e varfër.
Dhomat e Tregtisë dhe të Industrisë u ngritën në të 36 rrethet e vendit. Në nenin 1 të ligjit 7804 datë 10.03.1994 “Për Dhomat e Tregtisë dhe të Industrisë”, cituar edhe diku më lart, thuhet: “Dhomat e tregtisë dhe të industrisë, që në vazhdim do të quhen “dhoma”, janë subjekte të së drejtës publike, të pavarura, pa qëllim fitimi, që funksionojnë në territorin e tyre dhe që i shërbejnë nxitjes së tregtisë dhe të industrisë. Gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre, ato mbajnë parasysh interesat ekonomike të tregtarëve, të degëve a sipërmarrjeve të ndryshme. Ato i japin administratës shtetërore mendime ose propozime për çështje që lidhen me mbarëvajtjen e tregtisë e të industrisë.”1)
Organizimi i Dhomave të Tregtisë e Industrisë përbënte një përvojë të re për Shqipërinë në fushën institucionale. Në bazë të ligjit, bashkësia e tregtarëve dhe biznesmenëve të rrethit, një herë në katër vjet, do të zgjidhte nga gjiri i vet anëtarët e Asamblesë së Përgjithshme të Dhomës dhe Presidentin. Ligji i cilësonte organet drejtuese të këtij institucioni si më poshtë:
– asambleja përfaqësuese dhe presidenti i saj,
– kryesia e dhomës,
– kryetari,
– sekretari i përgjithshëm.2)
Sipas ligjit dhe statutit të dhomave, Presidenti drejtonte Asamblenë e Përgjithshme. Ishte më tepër një post nderi, por në raport me përvojën e pakët dhe prirjet diktuese të administratës shqiptare, kjo figurë simbolike mund të zinte mjaft hapësirë në jetën e dhomave dhe të biznesit privat. Në njëfarë mënyre, vetë pozicioni i Presidentit shërbente për ta mbajtur Dhomën e Tregtisë disi larg tutelës
shtetërore. Asambleja e Përgjithshme e Dhomës, një herë në dy vjet, zgjidhte nga gjiri i saj Kryesinë dhe Kryetarin. Kryesia dhe Kryetari mbanin funksione ekzekutive në veprimtarinë e Dhomës.
Anëtarësimi në Dhomën e Tregtisë ishte i detyruar për të gjithë tregtarët, subjektet shtetërore dhe private, të cilat krijoheshin dhe ushtronin aktivitetin e tyre në bazë të ligjit për ndërmarrjet, si dhe për degët apo përfaqësitë e firmave të huaja që ushtronin aktivitetin e tyre në Shqipëri. Anëtarësimi nuk ishte i detyruar për bujqit individualë, si dhe për ndërmarrjet që krijonin Bashkitë. (Po aty.) Sipas nenit 16 të ligjit, “Dhomat krijojnë bashkimin kombëtar të dhomave të tregtisë dhe të industrisë, që më poshtë do të quhet “bashkimi i dhomave”, i cili ka për detyrë mbrojtjen e interesave të tregtisë dhe të industrisë në nivel kombëtar dhe t’i japë administratës qendrore mendime e propozime për nxitjen e industrisë dhe tregtisë, si dhe të bashkërendojë punën e dhomave në rrethe dhe marrëdhëniet e tyre me organizmat analogë të vendeve të tjera. Bashkimi i dhomave është person juridik, subjekt i të drejtës publike, i pavarur dhe pa qëllim fitimi, me seli juridike në Tiranë.”3)
Edhe vetë Bashkimi i Dhomave të Tregtisë e Industrisë ishte një përvojë e re në fushën institucionale. Ka vende ku funksionet e këtij institucioni i kryen Dhoma e Tregtisë e kryeqytetit, përndryshe – dhe si rregull – dhoma më e madhe dhe më aktive në vend. Bashkimi i Dhomave të Tregtisë e Industrisë të Shqipërisë u vendos fillimisht në një nga zyrat e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë të Tiranës; një pjesë e të ardhurave dhe pasurive të kësaj të fundit, iu kaluan pikërisht Bashkimit të Dhomave. (Më vonë, në këto asete do të përfshihej edhe shtypshkronja e Dhomës së Tiranës.) Kurse neni 25 i ligjit cilësonte: “Buxheti i bashkimit të dhomave përbëhet nga kuotizacionet, kontributet që dhomat detyrohen të japin në raport me të ardhurat e tyre, të ardhurat nga donatorët vendas e të huaj, si dhe të ardhurat nga ushtrimi i veprimtarisë së bashkimit të dhomave. Organet tatimore janë të detyruara t’ia komunikojnë bashkimit të dhomave, në bazë të kërkesës së tij, dokumentet e nevojshme për caktimin e kontributeve.” (Po aty.)
Bashkimi i Dhomave ishte njëlloj dirigjuesi i jetës institucionale të Dhomave të Tregtisë; ai i përfaqësonte këto dhoma në organizmat kryesore vendase dhe të huaja, sikundër ishte në dialog të vazhdueshëm me qeverinë, përkatësisht me Ministrinë e Ekonomisë, për të krijuar një klimë sa më inkurajuese dhe për t’iu siguruar dhomave e biznesit më shumë hapësirë, brenda dhe jashtë vendit.
Vijon
Po filloj të publikoj në këtë medie të nderuar disa fragmente nga punimi “Historiku i Dhomave të Tregtisë”. Për lexuesit dhe gjithë të interesuarit, ky libër,
ende draft me sa di unë, ishte një nismë e Dhomës së Tregtisë e Industrisë Tiranë. Ish-gazetari i kësaj Dhome, Aleksandër Papa, hulumtoi për një kohë të gjatë dhe paraqiti një dorëshkrim, pothuaj krejt ‘historikun’ gati për t’u botuar. Me sugjerimin e drejtuesve të atëhershëm të Dhomës së Tiranës, mbi këtë draft punuan më pas edhe Edlira Prenga (aktualisht gazetare e Dhomës së Tiranës) dhe Vangjush Saro (ish-gazetar i Bashkimit të Dhomave të Tregtisë). Puna e tyre konsistoi kryesisht në pasurimin e librit me foto e dokumente, si dhe në plotësimin e periudhës pas vitit ‘90 e sidomos hartimin (brenda draftit) edhe të ‘historikut’ të Bashkimit të Dhomave, si të thuash ndërtimin e një ‘historiku’ të vetëm. Nuk di për fatin e mëtejmë të këtij libri.
………………………………………………………………………….
1) Ligji nr. 7804 datë 10.03.1994, “Për Dhomat e Tregtisë dhe të Industrisë”; Arkivi i Dhomës së Tregtisë e Industrisë.
2) Po aty. Neni 4.
3) Po aty. Neni 16.