“Nga sot unë jam anëtari juaj më i ri”/ Meta në video-konferencë me përfaqësuesit e ‘Europa Nostras’

Presidenti Ilir Meta ka zhvilluar sot një bashkëbisedim me video-konferencë me përfaqësuesit e ‘Europa Nostra’, zv.presidentin ekzekutiv Guy Clausse, Sekretaren e Përgjithshme Sneska Quaedvlieg-Michailovic dhe anëtarin e bordit Profesor Paolo Vitti.

Zyra e shtypit e Presidencës njofton se, Meta ka falenderuar Europa Nostran për angazhimin dhe vëmendjen e treguar ndaj promovimit dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe historike të vendit tonë.

Meta ka theksuar se shembja e paligjshme e Teatrit Kombëtar është çështje kushtetuese, e trashëgimisë historike dhe identitetit kombëtar, tashmë edhe një çështje europiane.

Siç njofton Presidenca, Meta ka rënë dakord me Europa Nostran për domosdoshmërinë e nisjes së një hetimi ndërkombëtar për shembjen e Teatrit dhe informimin e mëtejshëm të niveleve më të larta europiane.

“Europa nuk është vetëm euro, por edhe kulturë, solidaritet, humanizëm dhe identitet. Teatri Kombëtar ishte dëshmori i parë i Bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’, por demokracia dhe kultura europiane do fitojë”, është shprehur ndër të tjera anëtari i bordit të Europa Nostra, Profesor Paolo Vitti.

Gjithashtu Presidenti Meta tha: “Nga sot më konsideroni edhe mua anëtarin më të ri të Europa Nostra”