Nga shtatori i vitit 2022, në Diasporë fillon mësimi me tekste në gjuhën shqipe

Nga shtatori i vitit 2022 fëmijët e diasporës do mund të mësojnë me libra në gjuhën shqipe. Kjo është arritur falë bashkëpunimit të dy qeverive Shqipëri-Kosovë, dhe Këshillit Koordinues të Arsimtarëve...
Nga shtatori i vitit 2022, në Diasporë fillon mësimi me tekste në gjuhën shqipe
Foto: Nga shtatori i vitit 2022, në Diasporë fillon mësimi me tekste në gjuhën shqipe

Nga shtatori i vitit 2022 fëmijët e diasporës do mund të mësojnë me libra në gjuhën shqipe.

Kjo është arritur falë bashkëpunimit të dy qeverive Shqipëri-Kosovë, dhe Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë të cilët sot zhvilluan online takimin e parë. Ministri Majko tha se ka nisur puna për hartimin e kurrikulës së re.

 “Marrëveshja është duke u aplikuar shumë shpejt, krahasuar ,mes marrëveshjeve tjera mes dy vendeve. Kanë nisur mbledhjet për kurikulën e re që është miratuar tani jemi në fazën e miratimit të teksteve.Po punojmë që vitin tjetër arsimor , të fillojmë me libra e rinj të përbashkët për diasporën të miratuar mes 2 Ministrive.”- tregon Majko.

Për ministren e Arsimit të Kosovës Arbërie Nagavci, bashkëpunimi ndërmjet 2 vendeve me Diasporën është prioritet.

“Jemi në proces për tekste te reja për klasën e pare deri të peste të cilët do i kemi gati deri në korrik të këtij viti. Bashkëpunimi mbetet prioritet, të shfrytëzojmë resurset e përbashkëta që kemi, humane  financiare dhe çdo aspekt për rezultate më të larta. Bashkëpunim në shërbim të Diasporës dhe fëmijëve.” u shpreh Nagavci.

Ministrja e Arsimit Evis Kushi, tha se mbështet çdo nismë që ka në qendër ruajtjen dhe kultivimin e saj.

“Ruajtja e identitetit është qëllim madhor i yni. Mësuesit në Diasporë vlerë që mban gjall traditën e Gjuhës Shqipe. Ministria është e gatshme të mbështet çdo nismë që ka në qendër  ruajtjen dhe kultivimin e Gjuhës Shqipe. Kemi zhvilluar disa Projektet në bashkëpunim  me Kosovën, theksoj këtu seminare për zhvillimin profesional të mësuesve të Diasporës, tekste për fëmijët në diasporë, ministria ka bërë furnizimin me tekste shkollore.”- tha Kushi.

Prej më shumë se një viti dy ministritë e arsimit të Shqipërisë e Kosovës të koordinuara nga Qendra për Diasporën kanë miratuar kornizën standarde për tekstet shkollore për fëmijët në diasporë me synimin kryesore ruajtjen e gjuhës e kulturës shqiptare.