Nga Isak Bilali/ Beogradi në pozita komode falë diplomacisë multidimensionale

Nga Isak Bilali

Pas rifillimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, besoj që është koha të bëhet një lloj bilanci për të vlerësuar apo parashikuar deri diku se si do të jetë fundi i këtij procesi. Për të shtjelluar këtë problematikë, me rëndësi të fillojmë zvillimin nga periudha e pasluftës për të kuptuar shkaqet, arsyet dhe aktet që kanë prodhuar rezultate të prekshme.

Që nga koha e bombardimeve të NATO-s mbi caqet Sërbe gjatë luftës për çlirimin e Kosovës, Begradi zyrtar asnjëherë nuk pushoi së përqëndruari të gjithë potencialet e disponueshme në avancimin e diplomacisë në më shumë se një shërbim të rregullt brenda strukturës së vet qeverisëse. Për më shumë, duket se aplikimi i një diplomacie shumëdimensionale me qëllim të vendosjes së Kosovës në një Palestinë të dytë ka qenë, është dhe mbetet strategji kombëtare e Sërbisë. Diplomacia Sërbe nga 1999 e tutje është po e njëjta me atë të epokës së Millosheviçit, por me të vetmin ndryshim, ka adoptuar metoda më të sofistikuara për të justifikuar para botës politikën e saj të njejtë segreguese dhe ekspansioniste ndaj fqinjëve të saj.

Për të sfumuar raportet e kristalta agresor-viktimë në raport me Prishtinën, Beogradi në çdo moment ka aplikuar metodën e shtirjes së të qenit viktimë gjoja për shkak të ushtrimit të diskriminimit, dhunës apo edhe zhdukjes së sërbëve të Kosovës duke u ankuar edhe në ofiçiet më të largëta të vendeve mike dhe jo vetëm.

Ankimimet e shumta persistuese prodhuan rezultat dhe ndikuan komunitetin ndërkombëtar ne qasjen e tyre ndaj dhe sot qe flasim këto ankesa llogariten dhe mbeten një armë e fortë në betejën e tyre diplomatike.

Çfarë u theksua më sipër është vetëm në parantezë të shpalosjes së multidimensionalitetit që ka përdorur Sërbia në varësi të situatave politike lidhur me incentivat që i ka identifikuar në përdorimin e diplomacisë publike në shërbim të përmbysjes së këtij raporti (agressor- viktimë). Edhe pse në shikim të parë përmbysja e këtij raporti ishte e pamundur, një gjë e tillë u realizua, madje shumë suksesshëm.

Beogradi arriti të përdorë mjeshtërisht një instrument përtej ankimimit për të cilin mbase ilustrimi më adekuat do të ishte filmi i animuar Tom and Jerry, ku verehet imponimi i opinionit te një agresori të paraqitet si fitues, por dihet botërisht që macja është nga kafshët më të dashura për njeriun dhe miu një brejtës i yrryer, por ky animacion na fakton si u realizua ndërrimi i roleve. Pikërisht këtë format të shtrembërimit të fakteve ka përshtatur Sërbia në politikën e saj në raport me Kosovën duke e vendosur veten në rolin e pelqyer nga publiku edhe pse në të vërtetë është adresa e vetme e krejt të zezave.

Përmbysja e këtij raporti nuk është përpjekje aksidentale por strategji e mirëmenduar dhe e aplikuar me kujdes sepse që të gjithë lideret politikë të Beogradit pa përjashtim si: Tadiç, Koshtunica, Vuçi, Daçiç, Jeremiç e të tjerë, në vazhdimësi kanë përdorur këto instrumenta duke e paraqitur Sërbinë si viktimë dhe duke ngulmuar që sërbet lokalë në Kosovë janë subjekt i diskriminimit të vazhdueshëm nga shqiptarët.

Beogradi zyrtar gjithashtu ka përdorur mjeshtërisht edhe diplomacinë sekrete falë miqësisë vëllazërore me Moskën në shërbim të pozicionimit prevalues në raport me Prishtinën. Roli mbështetës dhe shtytës i Rusisë ka qenë dhe është kyç në akselerimin e Sërbisë në vendosjen e saj në pozita dominuese në Ballkan ndaj dhe natyrshëm suporti nuk ka munguar në asnjëherë. Rasti i arritjes së kontigjentit të makinave të reja të blinduara për Forcat Ushtarako-Policore të Kosovës që u komentua me tone të ashpra nga presidentit Vuçiç, reagim i cili nuk ishte klithje dëshperuese që rëndom paraqitet publikisht, sepse paralelisht kemi veprime konkrete qe i fakton po ky President i cili pohon se Sërbia është furnizuar ndjeshëm me armatim ushtarak nga Rusia dhe se planifikon të pranojë edhe më shumë avionë ushtarakë.

Një deklaratë e tillë e drejtuar SHBA, Gjermanisë dhe Turqisë, me akuzë se po shpërndan dhurata (armatim ushtarak Kosovarëve) në adresë të gabuar nuk do të mund as të mendohej pa patur mbështetjen konkrete nga Rusia mëmë.

Tashmë konsolidimi i Beogardit si “a new sheriff in town” ne gjeopolitikën rajonale, e bën Prishtinën tejet të pafuqishme dhe imobile sepse deklarata të tilla nuk jane boshe por janë realitet se si sillet Sërbia tashmë jo vetem me Kosovën por me të gjithë bashkësinë ndërkombëtare, qasje e cila nxit shqetësim për rritje tensionesh në rajonin e Ballkanit.

I vetmi sukses i Prishtinës zyrtare mbetet verdikti këshillëdhënës i Gjykatës Ndërkombetare të Drejtësisë lidhur me ligjshmërinë e shpallljes së pavaresisë së Kosovës që cilësohet si veprim i cili eshte në përputhje me të drejtën ndërkombetare, por duket se kjo arritje nuk paraqet shqetësim për Beogardin.

Ndaj, me të drejtë ngrehet pikëpyetja; Pse, tani presidenti Vuçiç shprehet me tone nxitëse ndaj Kosovës, dhe nuk bezdiset më se çfarë thotë bashkësia ndërkombëtare?

Betonimi në pozicione dominuese i Beogradit në raport me Prishtinën vjen pas fitores së madhe të arritur përmes diplomacisë sekrete në bashkëpunim me Kryeministrin Rama duke e futur në gërshërë Presidentin Thaçi përmes të së ashtuquajturës korrigjim i kufijve. Kjo nismë për shkëmbim tokash para se të ketë njohje reciproke dihej që ishte destinuar për të dështuar sepse vetë qëllimi final ishte për të djegur perfundimisht, si shkëmbimin territorial dhe njohjen reciproke në menyrë që Kosova të mbetet në pending status. Thënë shqeto, kjo nismë prodhoi rezultate briliante për Sërbinë sepse përveç se arriti të krijojë distancë kilometërshe me Kosovën në arenën ndërkombëtare arriti t’i japë edhe levën e kontrollit të plotë të dinamikës së (mos)veprimeve, duke kushtëzuar bashkësinë ndërkombëtare që të urtohet Prishtina në kapriçiot e saja ose në të kundërtën do të vazhdohet me çnjohje.

Për rrjedhojë, Presidenti Vuçiç sot posedon edhe një armë më të fortë në dorë, sepse pikërisht përmes kesaj loje ka krijuar një mashtrim optik sikur deshiron njohje reciproke, por realisht në prapskenë ai nuk ka pushuar asnjëherë së akuzuari UÇK-në dhe Thacin për krime lufte.

Tashmë ai ka arritur suksesshëm të paralizojë Presidencën e Kosovës në raportet ndërkombëtare sepse kjo tashmë i mundëson atij jo vetëm të veprojë në mënyrën më autoritare të mundshme por edhe të kontrollojë gjithçka që është për t’u kontrolluar.

Groteske në thelb, për Prishtinën por vështirë e kapërdijshme!

Multidimensionit te Diplomacisë Sërbe i shtohet edhe një shtresë e fortë që e mbështjell ndjeshëm nga ndikimet e jashtme, qe është roli proaktiv dhe i heshtur në përdorimin e diplomacisë kulturore. Njoftimi se Sërbia regjistron në UNESCO lahuten si trashëgimi të saj është një tregues se sa vibrante është diplomacia e tyre në raport me shqiptarët edhe pse pati një përpjekje nga Shqipëria dhe Kosova për ta regjistruar këtë vegël muzikore në UNESCO si pasuri të trashëgimisë kulturore shqiptare. Te humbasësh në një rivalitet të pabarabartë duke e marrë të vertetën më vete ne xhep dhe duke i lejuar hajdutit të shesë plackën si vlerë, nuk do shumë shpjegim, aq më pak koment.

Por, kjo nuk është e tëra, sepse vula e përmbysjes e raportit viktimë- agresor që po realizohet suksesshem nga Beogradi i shtohet edhe një gjetje e pështirë që shtrohet mbi sipërfaqen e gërmishur të një historie të stisur që quhet shtëpia e verdhë. Përkundër që nuk u gjetën asnjëherë fakte për egzistimin e trafikimit të organeve dhe është hedhur poshtë përmes një verdikti ndërkombëtar, Sërbia vazhdon përpjekjen dhe lançon projektin filmik të radhës me aktorë të spikatur të Hollivudit për të faktuar një të pavërtetë në sytë e gjithë botës se Sërbia ka qenë viktimë që nga koha e bombardimeve të NATO-s e deri më sot.

Kjo është pika më e ulët që prek Prishtina në raport më shtetndertimin, por më shqetësuese është dorëzimi sipas formulës së formatit Sërb për njohje që në thelb e dimë që nuk ka për të ndodhur asnjëherë sepse qëllimi i Sërbisë është zhvfletësimi i Kosovës deri në kthim si pjesë territoriale e saj.

Shqetësimi kryesor i opinionit mbetet legjitim, që rifillimi i dailogut e gjen Prishtinën në krizë të thellë sa i përket zhvillimeve politike të brendshme, aspak të baraspeshuar në diplomaci, me Presidencë të lidhur në pranga nga drejtësia ndërkombetare dhe para së gjithash pa axhendë konkrete së cfarë duan nga ky dialogim.