Nga Fadil Sahiti/ Kryeministra apo ngrehaluca?

Nga Fadil Sahiti Është e pështirë kapërdisja e udhëheqësve politik shqiptarë, sa herë që ata shkojnë jashtë vendit. E delirojnë veten si përfaqësuesit e dy shteteve më të fuqishme ekonomike dhe ushtar...
Nga Fadil Sahiti/ Kryeministra apo ngrehaluca?
Foto: Nga Fadil Sahiti/ Kryeministra apo ngrehaluca?

Nga Fadil Sahiti

Është e pështirë kapërdisja e udhëheqësve politik shqiptarë, sa herë që ata shkojnë jashtë vendit. E delirojnë veten si përfaqësuesit e dy shteteve më të fuqishme ekonomike dhe ushtarake në rajon.
K-ministrat tanë harrojnë se (për fat të keq) ata janë përfaqësuesit e zgjedhur të një populli dhe dy shteteve më të varfra, më të korruptuara në rajon.

Ky K-ministri i vogël është i bindur se është më i dituri, më i mençuri, më omniscienti në vend dhe rajon. Sa herë shkon në Evropë, përpiqet t’u japë mësime politike dhe filozofike diplomatëve evropianë. I mëson ata për ligjet demokratike, i mëson se si duhet përgatitur një proces dialogu, se sa të padrejtë janë ndaj kosovarëve për viza, etj.
Dje nuk hezitoj t’ua përkujtoj evropianëve se “ka kriminelë lufte në institucionet e vendeve të Ballkanit Perëndimor”!!! Demek, Evropa, gjykatat e vendeve perëndimore, nuk e dinë kush ishte dhe kush është presidenti aktual i Serbisë!! Disa ditë më parë në Slloveni ngjashëm dhe me tone të njëjta kishte folur edhe motra e tij siemeze.

Ndërkaq, ky K-ministri i madh është i bindur se është ndryshe, di te vishet “posh”. Demek, është artist dhe di çfarë duhet veshur në një darkë (jo) zyrtare. Gjithçka për të është pikturë, është “canvas”. Edhe veshja e tij mbrëmë ishtë “krejt serioze”, një veshje qejfi dhe e rastit (casual) – pa çka që në kontekstin konkret duket si gangster. K-ministri i madh na bën me dije se është një ngrehaluc dhe i pushtuar totalisht nga deliri i madhështisë, i dalldisur nga fantazi të sëmura, i shkëputur totalisht nga realiteti objektiv. Harron që shtetin të cilin e udhëheq, perëndimorët e trajtojnë si model të korrupsionit, ku krimi dhe institucionet e shtetit bashkëjetojnë të pandarë.

Të dy, edhe K i madh edhe K i vogël janë produkt i kulturës sonë, që karakterizohet nga një ndjenjë deliri që ne kemi për veten si individë dhe si popull. Sikur është e pamundur të krijojmë politikanë normal, me cilësi modeste, të pushtuar nga ndjenja e përgjegjësisë për postin që kanë, që ia dinë hallin edhe vetes edhe popullit.