Nga Ergys Alushi: Historia 100 vjeçare e “Flamurtarit”
Historia 100 vjeçare e “Flamurtarit” është e mbushur me ndëshkime, penalizime, penallti të padhëna e të dhëna kundër e në fund me..shfajsime gjyqtarësh.
Ngjarje që kanë ndikuar në ecurinë e ekipit në kampionate të ndryshme vetëm për shkak të vendimeve të padrejta të gjyqtarëve.
Historia fillon që në kampionatin e dytë kombëtar, 1931, në një ndeshje me Tiranë, ku një penallti e dhënë në favor të bardhebluve ndërpret ndeshjen dhe krijon trazira në Vlorë.
Me fillimin e kampionatit të tretë kombëtar, shoqëria sportive “Vlora ” nuk pranoi të merrte pjesë, në shenjë proteste ndaj dënimit vitin e kaluar të tre lojtarëve të saj. Me vendim të datës 4 mars 1932 Federata e përjashtoi shoqërinë sportive “Vlora”nga kampionati i futbollit të kategorisë së parë dhe vlonjatët luajnë në kategorinë e dytë.
5 qershor 1949
Skuadra e qytetit të Vlorës të përjashtohet nga ndeshjet e kategorisë së parë të kampionatit kombëtar të futbollit për vitin 1949. Shkak ishte një gol i parregulltë i dhënë në favor të shkodranëve në Vlorë, kur ndeshja ishte në barazim 3-3.
1 maj 1955
Ishte caktuar arbitër Izet Cani, oficer i Ministrisë së Brendshme. Vlora kryesonte kampionatin dhe ishte duke fituar 2-0 në Tiranë me skuadrën “Tekstilisti”. Dhimitër Mina, ishte çarë në kokë dhe ishte shtrirë pranë njërës shtyllë të portës, arbitri Izet Cane, vazhdonte lojën duke dhënë edhe një faull në disfavor, një metër jashtë 16-shes. Jani, si kapiten skuadre, i drejtohet arbitrit që të ndërpriste lojën për të mjekuar ose zëvendësuar portierin, arbitri i thotë; “Rri urtë se do të nxjerr jashtë loje!”. Në këtë moment, Jani e godet me pëllëmbë dhe ai bie në shesh. U ngrit dhe e nxorri jashtë. Loja e parë sapo përfundoi dhe rezultati ishte 2-1 në favor të Vlorës. Në fund ndeshja barazohet dhe Jani Papa arrestohet në dhomat e zhveshjes.
10 qershor 1984
Në finalen e Shkodrës la për të dëshiruar shumë edhe gjykimi indeshjes nga vijërojtësi Tef Prela, i cili vite më vonë, në një rrëfim mediatik,do të pranonte golin e parregullt të Muçës, që do t’i jepte fitoren dhe Kupën “17 Nëntorit”. Në gazetën “Zëri i Popullit” të ditës së enjte, 20 mars 1986, në shkrimin me titullin “Teknika televizive dhe vendimi i gjyqtarit”, të shkruar nga Kastriot Kruja, shkrimi fillon kështu: Por, megjithë shfajsimin e Prelës, goli i Muçës kishte ndikuar në humbjen e finales së kupës.
1991-1992
Sezoni i ri i futbollit i atij viti të parë të demokracisë kishte nisur i mbarë për “Flamurtarin”. Kudo fliteshin fjalë të mira. Në kampionat, kupë dhe paraqitja dinjitoze në kupën e kampioneve. Në Vlorë, vlonjatët jetonin ende me gëzimin e fitimit të titullit të parë kampion në histori. Në krizën që kishte përfshirë qytetin, “Flamurtari” ishte “ilaçi” shpirtëror i çdo vlonjati. Dukej se kishte ardhur koha e “Flamurtarit”.
Por, ajo që ngjau të dielën e datës 6 tetor në Elbasan, e prishi gjithë këtë gëzim, këtë ëndërr të bukur vlonjate. “Flamurtari”braktis ndeshjen në Elbasan jashtë çdo norme e etike pavarësisht nga vendimi i gabuar apo i drejtë i gjyqtarit të cilin e godet!!!”
10 gusht 1997
“Flamurtari” – “Tirana” 0-1. Shënues: Fortuzi 47’
Vlonjatëve u mjaftonte dhe barazimi për t’u shpallur kampion. Tiranasit donin vetëm fitoren.
Që në fillim ka nisur me një të papritur enigmë. Gjyqtari i caktuar për drejtimin e këtij takimi, shkodrani Astrit Isufi, papritur është zëvendësuar me gjyqtarin Luan Zylfo…“Ndërkohë jemi në minutën e 79-të. Perloshi është futur brenda zonës së portës, kërkon të gjuajë, por ndërhyrja e Sinës e ka penguar. Kërkohet 11 –metërsh, por nuk është i këtij mendimi gjyqtari Zylfo. Rreth tij krijohet një lëmsh ku nuk mungojnë edhe drejtuesit teknik. Bëhen mjaft replika e ndërhyrje me duar. Më në fund nën një komandë të gjithë futbollistët vlonjatë largohen nga fusha e lojës në drejtim të dhomës së zhveshjes.
21 shkurt 2011
“Skënderbeu” – “Flamurtari” 1-0. Shënues: Shkëmbi 31’(11m)
10 kartona të verdhë, nga 5 për secilën skuadër dhe një karton i kuq pas dy të verdhave për Devollin e “Flamurtarit”. Nxjerrja me të kuqe e Devollit, në minutën e 59-të, ka ndikuar në ecurinë e lojës së vlonjatëve, të cilët për shumë minuta kanë qenë në minorancë numerike. Penalltia e kthyer në gol nga Shkëmbi ka ndikuar në ecurinë e Flamurtarit në kampionat, i cili ishte në krye me 7 pikë nga korçarët, diferencë që shkurtohet në 4 pikë.
Pas 9 vitesh
Lorenc Jemini, gjyqtar i ndeshjes në “Procesi sportiv” në Top Channel 24 maj 2020 dhe Rafael Soza, ish futbollist i “Skënderbeut”, deklarojnë që të dy se penalltia ishte e gabuar dhe soza kishte stimuluar.
2017-2018
Në numrin e saj të datës 7 maj 2018, gazeta “Panorama Sport”, duke u bazuar në moviolat që bën pas çdo jave të kampionatit, që herë pas here bazohen edhe te moviolistët e FSHF-së, ka nxjerrë edhe raportin e penalizimeve të kuqezinjve, sipas të cilës, në 32 javë kampionat, “Flamurtari” është penalizuar 20 herë, ku përfshihen 12 penallti të mohuara e 4 penallti të dhëna kundër, pa të drejtë. Këto penalizime e larguan ekipin nga një vend për në Kupat e Evropës.
historia vazhdon…
Historië e plota të këtyre rasteve dhe të tjera do t’i lexoni në librin kushtuar historisë 100 vjeëare të “Flamurtarit”, që del më 25 mars