Spekulimet që dëmtojnë edhe biznesin e ndershëm edhe misionin e medias.
Duke qenë se në mënyrë periodike kam qenë një ndër zërat që kanë shprehur shqetësim për sigurinë ushqimore, shumë njerëz më dërguan një lajm që qarkullonte në disa portale për cilësinë, përbërjen dhe sigurinë e produkteve të mishit dhe sallameve. Vura re që gjithçka ishte shkruar ishte totalisht e dyshimtë, joprofesionale dhe spekulative.
Në dy shkrime të llojit fletrrufe pa emër, pa referencë dhe asnjë konkluzion analizash dilej në përfundimin se kompanitë e sallameve sidomos ato me emër si Hako apo EHW etj përdorkan mish të kafshëve të ngordhura ose produkte të tjera të dyshimta dhe të dëmshme (por pa i cilësuar se çfarë janë), për të bërë sallame e proshuta.
Së pari, në të gjithë përshkrimin nuk sillej asnjë shembull, asnjë dokument apo Ilustrim që të mbështeste këtë pretendim që përveç se krijon panik te konsumatori, shkakton një dëm të pallogaritshëm dhe të panevojshëm për biznesin e ndershëm.
Që të kesh dyshime është diçka tjetër dhe të kesh prova është diçka tjetër.
Dhe media dhe gazetaria duhet të flasë me prova, jo me spekulime, sepse në këtë mënyrë duke ngritur tymnaja të pabaza humbet besueshmëria edhe për rastet kur duhet denoncuar abuzimi apo spekulimi ushqimor.
Jam i bindur se edhe vetë kompanitë e mëdha janë të gatshme të bëjnë transparencë për produktet e tyre dhe të denoncojnë abuzuesit që natyrisht janë ato punishtet ilegale që prodhojnë nëpër garazhe pallatesh apo periferish. Çdo akt spekulativ mediatik ose bëhet në mungesë të thellë profesionalizmi ose për qëllime përfitimi të padrejtë dhe kjo duhet denoncuar edhe publikisht edhe ligjërisht, pasi përtej dëmit ndaj biznesit, sjell një dëm edhe më të madh për besueshmërinë e medias.
Provo e raporto duhet të jetë moto e çdo lajmi apo qëndrimi pasi çdo rast tjetër dëmton të vërtetën dhe mbron spekulimin.