Nga Antoneta Muçi Zeneli/ Një këshillë për “Shtëpinë Muze” të Selam Musa Salarisë

Nga Antoneta Muçi ZENELI

Ringritja e Shtëpisë Muze të Heroit të Popullit Selam Musa Salaria, edhe pse nuk ka përfunduar së kompletuari tërësisht, ka filluar të vizitohet nga shumë bashkëfshatarë, qytetarë të Tepelenës dhe më tej, gjë e cila tregon ndjeshmëri e vlerësim për trashëgiminë tonë historike, që, në fund të fundit, na bën të jemi krenar brez pas brezi. Midis tyre më tërhoqi vëmendjen edhe vizita e Av. Genc Llakaj me prindërit e tij, ku kishte postuar dhe një video nga ambientet e brendshme të Shtëpisë Muze, e cila u bë shkak, të shpreh disa mendime, me shpresën, se do të dëgjohen e do të merren parasysh, pasi ai Muze ende nuk ka marrë formën e plotë, siç e kërkon realiteti historik.

Edhe unë mezi pres t’më krijohet mundësia, sepse dëshira është jo vetëm e madhe, por edhe një opsesion shpirtëror, por këto kohët që po jetojmë, për ne që jemi larg, kanë qënë kohë të vështira. Gjithësesi, pavarësisht vështirësive të momentit, do ta gjej mundësinë dhe atje do të shkoj.

Ringritja e asaj Shtëpie Muze është gjëja më e bukur, që ka ndodhur në këto 30 vite për ne sajariotë, por jo vetëm. Paraprakisht dua të theksoj, që mirënjohja të shkoj atje ku duhet, dhe t’i atribohet atij që i takon realisht, përndryshe, ne të vëgjëlit në forcë e vlera, e me rrekje të panevojshme, e bëjmë pis atë përpjekje njerëzore dhe institucionale.

Nëjse, po kthehm tek imazhet e videos që kishte postuar Genci. Kur pashë ambientet e brendshme të Shtëpisë Muze, u trishtova jo pak. Unë nuk e di kush është marrë me aredimin e brendshëm, por besoj se për detyrim institucional e ka Muzeu i Tepelenës në Qark dhe Ministria e Kulturës këtu në Qendër. Nëse është dora e atyre: Turp! Muzeu i Tepelenës duhet të ketë foto të ambienteve të brendshme të Shtëpisë dhe të bëjë krahasimin me atë çfarë ka qënë. Këtu flas për aredim formal, jo për përmbajtjen si Muze, që përfaqëson aktivitetin patriotik të të gjithë Labërisë, dhe do të dojë kohë e profesionistë, që të marrë formën përfundimtare. Flas për ta bërë dinjitoz, me standarte të larta muzeale, t’u shërbejë brezave, e të mos e qeshë një kohë e mëvonshme. Përndryshe jeta e tij do të ishte e shkurtër dhe investimi për ringritjen – i shkuar dëm.

Një aredim i tillë si ai që pashë, mbushur Shtëpia me postiqe, si në kohën e Ertogrulit, mund të ketë qënë shtëpia e ndonjë të padituri, që s’ka lexuar një rresht për Selam Musan, e mund ta ketë të krahasuar, ndoshta me shtëpinë e vet. Selam Musai nuk kishte postiqe as në stanet, ku kishte mbushur malet e Salarisë, e jo më në shtëpi, ku tezgjahu që endëte sixhade e qylyma, qëndronte ngrehur 12 muaj të vitit. Shilte të bëra me copa të ardhura nga Stambolli, jastëk të punuara nga vëllakat – profesioniste në punimin e stofit të leshtë e të qëndisura me kryq, ato që punonin dhe veshjet e Tij, e që qepeshin në Gjirokastër. Një shtëpi e pajisur me furrë në ato kohë, me bodrum, ku nuk mbaheshin kafshët si në shtëpitë e tjera të fshatit, por prodhohej e mbahej vera, me makinë qepse, me sixhade, që janë më të bukura, krahasuar dhe me ato sot, e them sepse e kam një të tillë në shtëpi, kujtim nga gjyshja (bija e Selam Musait)… E të aredohet si në vitet 1300, nuk di ç’them më shumë.

Me këtë angazhim jo profesional i bëjmë shërbim vulgaritetit dhe idesë cinike, se “Selam Musai ishte një çobën”. Jo, mor jo, çoban janë ziliqarët dhe të paditurit e kësaj kohe. Ai (Selam Musai) ka qënë dhe do të mbetet ajka e fisnikërisë shqiptare, njeriu që fliste tre gjuhë të huaja; persisht, arabisht dhe turqisht, i pajisur me njohuri ushtarake, 6 vite në Sanë – kryeqytet i Jemenit, kishte pasuri përrallore për kohën, me dhjetra të punësuar në shërbim të ekonomisë së tij, njeriu me oratori të lindur, aftësi të rralla komunikimi dhe me infulencë në fshat e gjithë krahinën, për të mos folur për 10 vite luftë në krye të bashkëfshatarëve në mbrotje të vatanit.

I shkrova këto radhë, pasi ne pasardhësit, vetëm këtë hapësirë kemi, s’na kanë krijuar mundësi të tjera, dhe në një farë mënyrë, mirë bëjnë, pasi ky është detyrim shtetror, e shteti i ka të gjitha mundësitë, materiale e finaciare, e mbi të gjitha, edhe potencialin intelektual, historik, studimor, për ta bërë një punë të tillë, ashtu siç duhet. Nëse duan të bëjnë ndonjë muze etno-kulturor të fshatit, le të bëjë ndonjeri në shtëpinë e tij; shumë mirë do të ishte, por të mos e ngatërrojnë historinë e lavdishme të Selam Musa Salarisë, me asnjë funksion tjetër. Mos u ngutni të bëni veprime me amatorizëm patriotik, se po prishni edhe atë gjë të bukur që është arritur deri tani!

Gjithashtu, në pllakën përkujtimore, mos ja hiqni mbiemrin “Salaria”, që ja ka dhënë historia, Selam Musait! Selam Musa Salaria e njeh atë gjithë Shqipëria.