Nga 15 dhjetori bllokohet buxheti shtetit- Do të paguhet vetëm për pagat, pensionet dhe emergjencat

Nga data 15 dhjetor e më tej, buxheti i shtetit do të paguajë veç faturat  e domosdoshme. Në këto fatura të domosdoshme bëjnë pjesë, pagat, pensionet, sigurimet dhe pagesat e emergjencës.

Radha e pagesave  është përcaktuar përmes  një udhëzimi të  posaçëm  nga ana e Ministrisë Financave. Nisur kjo edhe  nga gjendja e jashtëzakonshme e krijuar pas tërmetit.

Pasi është shpallur edhe  gjendja e fatkeqësisë natyrore në qarqet Durrës dhe Tiranë, Ministria e Financave  ka njoftuar se pagesat e transaksioneve të njësive të qeverisjes së përgjithshme do të kryhen si më vijon:

Faturat që kanë datë vitin 2019 duhet  të paraqiten pranë degëve të thesarit deri më datë 15 dhjetor 2019. Përtej  këtij afati  nuk do të pranohet asnjë fature për llogari të buxhetit 2019.

Autoriteteve  kontraktore u  ndalohet menjëherë nënshkrimi i  kontratave të reja, të cilat janë në proces prokurimi, këtyre të fundit u ndalohet edhe që të ndërmarrin veprime të reja, si  prokurime të  fondeve publike, veç rasteve të emergjencës.

Prioritetet e pagesave janë si vijon:

a-Pagesat për shërbimin e borxhit

b-Pagesat për shpenzime emergjente spitalore me funksion jetësor, oksigjen, gjak, ushqim.

c-Pagat e punonjësve të qeverisjes  së përgjithshme dhe sigurimet shoqërore dhe shëndetësore

d- Transfertat për institucionin e Sigurimeve Shoqërore  për pagesat e pensioneve

e-Ndihma ekonomike dhe pagesa e papunësisë

f-Pagesat për ujin dhe energjinë elektrike

g- Çdo pagesa tjetër nga fondet publike në zbatim të një VKM për përballimin e situatave emergjente  apo katastrofave  natyrore në rastet e pagesës së punëve , mallrave dhe shërbimeve, të shkaktuara prej tyre, ose konsiderohen prioritet kombëtar.

h-Pagesat në valutë nga llogaria e unifikuar e thesarit në Bankën e Shqipërisë./ apel.media