Nesër Kurban Bajrami, KMSH mesazhe solidariteti

Një ditë para festës së Kurban Bajramit, kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Bujar Spahiu dha mesazhin e tij për të gjithë besimtarët, ku ndër të tjera nënvizoi se kjo është dita e sakrificës dhe dhembshurisë.

Kurban Bajrami është një festë e rëndësishme në fenë islame. Në këtë ditë ne përkujtojmë sakrificën e Ibrahim Ali Selam. Kurbani na dëshmon se sakrifica, durimi, dhembshuria njerëzore janë punë të pëlqyeshme te Zoti nëse duam të përfitojmë mëshirën dhe faljen e të Gjithëmëshirshmit absolut, Zotit të Gjithësisë”.

Po ashtu kreu i KMSH-së u kërkoi besimtarëve të tregohen më solidarë jo vetëm për Kurban Bajram, por çdo ditë.

Therni kurbanin nesër, kushdo që ka mundësi dhe ndajeni me njerëzit në nevojë. Kurbani është mesazh paqeje, shpërndajeni atë. Kurbani është gëzim për fëmijët, gëzojini ata me dhurata. Kurbani është solidaritet, joni solidarë në Bajram e çdo ditë. Kurbani është pajtim, pajtohuni dhe faleni njëri-tjetrin. E lusim Zotin të na i pranojë kurbanet, adhurimet dhe lutjet tona. E lusim Zotin për paqe, prosperitet në vendin tonë dhe mbarë njerëzimin. Ju dëshiroj paqe, begati e mirësi në familjet tuaja”.

Sipas fesë islame, rituali dhe festa e Kurban Bajramit fillon me faljen herët në xhami, vazhdon me prerjen e kurbanit për atë që ka mundësi dhe shpërndarjen e mishit për njerëzit në nevojë, duke mbaruar me vizitat tek të afërmit dhe miqtë. Kurban Bajrami këtë vit do të falet në sheshin “Skënderbej” në Tiranë.