Nëntori 60% më pak viktima se 1 vit më parë

Afro 15 mijë persona kanë rezultuar pozitivë me Covid gjatë muajit Nëntor. Nga 87 mijë teste të kryera kanë rezultuar pozitivë  17 % e tyre dhe vetëm 0.9 % e të infektuarve kanë humbur jetën.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, janë 60 % më pak viktima.  Nga 301 humbje jete të regjistruara në Nëntor të 2020, këtë muaj kanë humbur jetën në spital 128 persona për shkak të komplikacioneve të rënda nga Covid.

Sipas mjekëve shumica e personave që humbin jetën në spitalet Covid janë me sëmundje bashkëshoqëruese dhe të pavaksinuar.

Pozitiviteti i testeve të kryera gjatë këtij muaj është 17 %, nga 27% e së njëjtës periudhë të një viti më parë.

Në një kohë kur në Europë po qarkullojnë variante të reja të Covid, Autoritete shëndetësore në vend apelojnë për rritjen e mbulesës vaksinale për të shmangur format e rënda të sëmundjes.