Nëna e kreut të pezulluar të Federatës Spanjolle të Futbollit hyn në grevë urie

Nëna e Luis Rubiales, kreut të pezulluar të Federatës Spanjolle të Futbollit u mbyll në një kishë të hënën dhe njoftoi se ka hyrë në grevë urie për të mbrojtur djalin e saj. Angeles Bejar tha se do të...
Nëna e kreut të pezulluar të Federatës Spanjolle të Futbollit hyn në grevë urie
Foto: Nëna e kreut të pezulluar të Federatës Spanjolle të Futbollit hyn në grevë urie

Nëna e Luis Rubiales, kreut të pezulluar të Federatës Spanjolle të Futbollit u mbyll në një kishë të hënën dhe njoftoi se ka hyrë në grevë urie për të mbrojtur djalin e saj.

Angeles Bejar tha se do të qëndrojë në kishën në qytetin Motril derisa të gjejë drejtësi për djalin e saj, i cili, siç tha ajo për agjencinë spanjolle të lajmeve Efe, është viktimë e “gjuetisë së shtrigave çnjerëzore dhe të përgjakshme”.

Nëna e Rubiales po kërkon që Jennifer Hermoso, lojtarja të cilën djali i saj e puthi, “të thotë të vërtetën”, duke këmbëngulur se djali i saj “nuk do të lëndonte askënd”, raportoi Efe.

Kjo është kthesa e fundit në një sage dramatike që ka tronditur Spanjën gjatë javës së fundit.

E gjitha filloi pak më shumë se një javë më parë, kur skuadra e femrave e Spanjës fitoi Kupën e Botës në Australi. Gjatë festimeve, Rubiales kapi fuqishëm organet e tij gjenitale në një gjest fitoreje ndërsa qëndronte pranë mbretëreshës së Spanjës dhe vajzës së saj 16-vjeçare dhe puthi Hermoso në buzë.

Veprimet e tij shkaktuan reagime të ashpra dhe shumë shpejt i bënë thirrje që të kërkonte falje për sjelljen e tij “seksiste”.

Fillimisht, ai i quajti ata që reaguan për puthjen “idiotë”, më pas publikoi një video ku kërkonte falje me gjysmë goje. Kjo nuk ishte e mjaftueshme për të kënaqur kritikët e tij, ndërsa presioni filloi të rritet dhe kërkohej largimi i tij.

Por të premten, Spanja u trondit kur, në vend që të jepte dorëheqjen, Rubiales u paraqit në një studio televizive kundër “feminizmit të rremë”, duke këmbëngulur që Hermoso donte puthjen dhe duke paraqitur veten si viktimë e një gjuetie shtrigash, duke bërtitur se “burrat fituan Kupën e Botës gjithashtu”, shumë anëtarë të federatës e duartrokitën me ovacione.

Fjalimi sfidues i Rubiales shkaktoi një valë reagimesh. Lojtarët e futbollit nga e gjithë bota dolën në mbështetje të Hermoso-s, duke përfshirë lojtarin e meshkujve Borja Iglesia, i cili tha se do të bojkotonte ekipin kombëtar derisa gjërat ndryshojnë. Sponsorët e Federatës së Futbollit të Spanjës duke përfshirë korporatat e mëdha spanjolle si Iberia dhe Iberdrola dënuan gjithashtu sjelljen “e papranueshme” të Rubiales.

Deri të premten në mbrëmje, 81 nga femrat më të mira të Spanjës njoftuan refuzimin e tyre për të luajtur për ekipin kombëtar të Spanjës nën drejtimin aktual.

Hermoso gjithashtu bëri një deklaratë, ku tha se Rubiales dhe federata i bënë presion që të thoshte se ajo pranoi puthjen edhe pse nuk ishte e vërtetë. “U ndjeva e pambrojtur dhe viktimë e një akti të shtyrë nga impulsi, seksist, i pavend, pa asnjë pëlqim nga ana ime. E thënë thjesht, nuk isha e respektuar”, ka shkruar ajo.

Federata e Spanjës në përgjigje vërtetoi qëndrimin e saj, duke akuzuar Hermoso për gënjeshtra dhe duke e kërcënuar me veprime ligjore kundër lojtarëve femra të Spanjës.

Megjithatë, gjërat ndryshuan shpejt të shtunën, pasi FIFA njoftoi se do të pezullonte Rubiales për të paktën 90 ditë nga posti i tij dhe çdo gjë që lidhet me futbollin kombëtar ose ndërkombëtar. FIFA gjithashtu urdhëroi Rubiales dhe federatën që të përmbahen nga kontaktet me Hermoso ose me të afërmit e saj.

Menjëherë pas pezullimit, trajnerët e ekipeve të meshkujve dhe femrave të Spanjës, të cilët i kishin duartrokitur Rubiales vetëm një ditë më parë, lëshuan deklarata duke dënuar ish-shefin e tyre.

Me valën e mbështetjes për futbollistet femra të Spanjës, të cilën shumica në Spanjë e kanë quajtur këtë lëvizje “edhe unë”, synojnë të mbështesin gratë të flasin kundër pabarazisë dhe burrat që i japin vetes të drejtë t’i trajtojnë gratë si të duan.

Më vonë të hënën, një shoqatë feministe do të mbajë protestë në mbështetje të Hermoso në Madrid. Federata Spanjolle e Futbollit gjithashtu do të mblidhet për të vendosur se si do të ecë përpara.