Në një vit ekonomia shtoi 10.6 mijë vende të reja pune

Numri i të punësuarve në sektorin privat, që paguajnë sigurime u zgjerua me rreth 10 mijë persona në tremujorin e dytë të vitit 2022 në krahasim me tremujorin e parë, ndërsa në raport me të njëjtën periudhë të një viti me parë ishin 13.6 mijë persona më shumë.

Sipas burimeve nga të dhënat Administrative numri i personave të deklaruar në sigurime (listë- pagesa e tatimeve) arriti në 3-mujorin e parë në rreth 710 mijë persona, prej të cilëve 185,696 ishin të punësuar në sektorin shtetëror dhe 534,124 ishin të punësuar në sektorin privat. Pothuajse e gjithë rritja është gjeneruar nga sektori privat, ndryshe nga viti i kaluar, ku rritja e punësimit në listë-pagesat e tatimeve erdhi nga sektori shtetëror si rrjedhojë e zgjerimit të fortë të punësimit në prag të zgjedhjeve parlamentare.

Dy burimet e të dhënave mbi ecurinë e punësimit, Anketa e Forcës së Punës dhe të dhënat nga Burimet Administrative tregojnë për një rritje të punësimit në tremujorin e dytë të vitit.

Sipas të dhënave nga Anketa zgjerimi vjetor ishte mbi 50 mijë të punësuar rishtas. Në terma vjetorë, punësimi rritet me 7,1 % në sektorin e industrisë, me 2,0 % në sektorin e shërbimeve, dhe me 4,9 % në sektorin e bujqësisë. Krahasuar me tremujorin e mëparshëm, në tremujorin e dytë 2022, punësimi për popullsinë 15 vjeç e lart u rrit me 1,7 %. Rritja ishte 1,6 % në sektorin e industrisë, 2,3 % në sektorin e bujqësisë dhe me 1,4 % në sektorin e shërbimeve.

Me të dhënat nga burimet administrative zgjerimi vjetor ishte 13,600 persona ose 3 për qind, ndërsa zgjerimi tremujor ishte 1,9%.

Tregu i punës reflektoi fleksibilitet më të lartë, duke përmirësuar çrregullimet që krijoi pandemia Covid -19.  Pjesëmarrja e popullsisë në tregun e punës arriti në rekorde në tremujorin e dytë ku 80 për qind e burrave në moshë pune (15-84 vjeç) u ofruan në tregun e punës, një rekord historik.

Nevoja për punonjës po vjen në rritje nga sektorët e turizmit dhe fasonit si rrjedhojë e rritjes së kërkesës nga jashtë. Mirëpo interesi i grupeve të reja të popullsisë është i ulët për të punuar në këto aktivitete.

Tregu i punës në vendin tonë është problematik sa i përket lidhjes me sistemin arsimor.  Modeli ekonomik që ofron aktualisht Shqipëria nuk ofron punë me vlerë të shtuar në grupet e të rinjve të arsimuar. Gjithashtu niveli i pagave qëndron ende shumë poshtë niveleve rajonale, çka po bëhet shkak për emigracion masiv te fuqisë punëtore drejt vendet të Europës Perëndimorë dhe Britanisë së Madhe.

Fenomeni në rritje vit pas viti i emigracionit ka çuar në emergjencë për punonjës pothuajse të gjitha bizneset në vend. Krahu intensiv i punës po pëson rënie të shpejtë, teksa popullsia në moshe pune po plaket me shpejtësi./Monitor

Burimi: INSTAT

Burimi: INSTAT