Në mbështetje të Adriana Matoshit! Artistë, politikanë e qytetarë marshojnë së bashku

Pershonazhe të njohur, artistë, politikanë e qytetarë të thjeshtë kanë marshuar ditën e sotme në Prishtinë nga Sheshi Zahir Pajaziti deri te Teatri Kombëtar në Prishtinë, në mbështetje të aktores Adriana Matoshi.

“Në nder të aktores së mirënjohur dhe shumë të dashur për gjithë publikun shqipëfoles, Adriana Matoshi e cila përsëri u diagnostifikua me tumor në tru, organizohet ecja nga Sheshi Zahir Pajaziti deri te Teatri Kombëtar në Prishtinë. Duam që me anë të kësaj ecje, të solidarizohemi me sfidën e Adrianës, për të cilën lutemi të gjithë që ta fitoj si çdo peripeci që e ka kaluar në jetë”, thuhej në një njoftim për marshimin.

Mes njerëzve të pranishëm nuk ka munguar edhe këngëtarja Dafina Zeqiri, e cila ka postuar një foto ku mban një maskë me mbishkrimin “Të duam Adriana”.

E pranishme ka qenë edhe deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, e cila u shpreh se beson në fuqinë e koleges së saj.

“Unë jam bashku disa njerëzve të mi qe sot kanë vendos të solidarizohen me ballafaqimin me të cilin po përballet mikja e kolegia po edhe një grua e zonja e Kosovës, Adriana Matoshi. Besoj në fuqinë e saj, besoj”, u shpreh deputetja.

Adriana Matoshi njoftoi ditën e djeshme se pas 9 vitesh i është rikthyer sërish tumori në tru dhe të mërkurën pritet të ketë ndërhyrjet e para.