Në kërkim nga policia për trafik droge, arrestohet 50-vjeçari në Vlorë

Një 50-vjeçar i shpallur në kërkim për trafik droge është arrestuar ditën e sotme në Vlorë. Policia ka deklaruar se në pranga ka rënë Albert Brahimaj, i cili është dënuar me 2 vjet burgim për kultivim kanabisi.

Njoftimi i Policisë:

DVP Vlorë/I shpallur në kërkim për kultivim të bimëve narkotikëve, kapet dhe vihet në pranga 50-vjeçari. Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore, nga shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Vlorë, bazuar dhe në inteligjencën informative, për vendndodhjen e një shtetasi në kërkim, u bë e mundur kapja dhe ndalimi i shtetasit: Albert Brahimaj, 50 vjeç, banues në lagjen “15 Tetori”, Vlorë.

50-vjeçari ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë e ka dënuar me 2 vjet burgim, nga të cilat i kanë mbetur për të vuajtur edhe 1 vit, 10 muaj e 16 ditë, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”. Ky shtetas, në vitin 2020, ka kultivuar bimë narkotike kanabis, në një sipërfaqe toke të pyllëzuar, në fshatin Kotë, Selenicë. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.