Në dhjetor bie numri i aksidenteve rrugore. Bie edhe numri i rasteve me humbje jete

ilustrim

Çdo ditë në lajmë  regjistrohen aksidente rrugore, por nga statistikat muaji dhjetor i 2020  ka një rënie të numrit të tyre. INSTAT ka publikuar se në muajin Dhjetor 2020 numërohen 113 aksidente rrugore nga 135 aksidente të ndodhura në muajin Dhjetor 2019, duke u ulur me 16,3 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në vitin 2020, numërohen 1.234 aksidente rrugore nga 1.498 aksidente të ndodhura në vitin 2019, duke u ulur me 17,6 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në muajin Dhjetor 2020, numri i të aksidentuarëve (të vrarë dhe të plagosur) është 147 persona nga 187 që ishte një vit më parë, duke u ulur me 21,4 %. Numri i të aksidentuarëve në vitin 2020, është 1.598 persona nga 2.044 persona, duke u ulur me 21,8 %, krahasuar me vitin 2019.

Në muajin Dhjetor 2020, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 13 persona nga 24 persona të vdekur në Dhjetor 2019. Në vitin 2020, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 181 persona nga 227 persona në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në muajin Dhjetor 2020, aksidentet rrugore, në 81,4 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit. Numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grup-mosha 25–34 vjeç, duke zënë 30,1 % të numrit të aksidenteve gjithsej. Aksidentet në këtë grup-moshë janë ulur me 2,9 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në vitin 2020, aksidentet rrugore, në 14,5 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së këmbësorit.

Gjatë kësaj periudhe, numri i aksidenteve sipas sjelljes së këmbësorit është ulur 17,9 %, krahasuar me një vit më parë.