Ndryshimet në ligjin e procedurave tatimore : ”Lehtësim për tatimpaguesit, në rastin e personave të papaguar”

Ndryshimet në ligjin e procedurave tatimore, kanë sjellë lehtësim për të gjithë tatimpaguesit. Konkretisht, në rast se nga kontrolli në ambientet e biznesit të tatimpaguesit person fizik, evidentohen persona të papaguar të familjes mbi 16 vjeç, atëherë vetë organi tatimor vërteton përmes portalit “e-Albania”, nëpërmjet certifikatës familjare të të vetëpunësuarit, nëse personi i evidentuar plotëson ose jo kushtet për t’u konsideruar si person i papaguar i familjes apo si bashkëjetues, sipas kuptimit të Kodit Civil.

Në këtë mënyrë, është hequr detyrimi i personit fizik që të vërtetojë pranë organit tatimor brenda 5 ditësh, se personi i evidentuar në vendin e aktivitetit është person i papaguar i familjes.

Ky ndryshim është një nga efektet e drejtëpërdrejta pozitive të ofrimit të shërbimeve online dhe të qarkullimit elektronik të informacionit, brenda institucioneve të administratës publike.