Ndryshe nga Rama, Cakaj kërkon unifikimin e politikës së jashtme të Kosovës dhe Shqipërisë

Ministri Cakaj mendon ndryshe nga kryeministri Rama/ Kërkon unifikimin e politikës së jashtme mes Kosovës dhe Shqipërisë

Ditën e sotme u zhvillua konferenca e përbashkët e përfaqësuesve politikë të shqiptarëve të rajonit me temë: “Roli i Shqipërisë në promovimin e interesave kombëtare të shqiptarëve në hapësirën e Ballkanit Perëndimor”.

Takimi u mbajt në Tiranë, ku u vendos një theks i veçantë në unifikimin e politikës së jashtme mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë.

Gjatë fjalës së tij, ministri Cakaj tha se ndërlidhja e objektivave në politikën e jashtme të Shqipërisë është e domosdoshme për shqiptarët dhe gjithashtu shumë e dobishme për vetë rajonin.

“Më shumë se vetëm Komision të Përbashkët, pa dyshim, ka nevojë për unifikim të plotë të politikës së jashtme nëpërmes ndërlidhjes së dy Ministrive. Marrëveshja e firmosur në Maj është një pikëfillim i vyer që gjithsesi duhet të plotesohet me masa shtesë e zbatohet me efiçencë të plotë”,- deklaroi Cakaj.

Me tej kreu i diplomacisë shqiptare theksoi se pozita e shqiptarëve në Serbi vazhdon të mbetet shqetësuese.

“Ata sot janë të nënpërfaqësuar në institucione qëndrore e lokale dhe gjithashtu shqetësuese mbetet edhe praktika e fshirjes së shqiptarëve nga regjistrat e gjendjes civile, praktikë kjo që rrezikon seriozisht substancën e tyre kombëtare”,- u shpreh Cakaj.

Sipas ministrit Cakaj, shqiptarët janë një trup i bashkuar dhe partitë politike si entitete të mirë-kordinuara nuk janë vetëm garanci e progresit si komb, por edhe mundësi e Ballkanit të zhvilluar dhe euro-atlantik./apel.media