“Ndaj meje u ushtrua dhunë”/ U lirua nga komisariati, flet ish-deputeti Ndocaj: Bashkë me avokatin do bëjmë denoncim

Ish-deputeti Eduard Ndocaj, që u shoqërua sot në polici gjatë aktivitetit të përurimit të shtëpisë së Gjergj Fishtës, është liruar.

Pas lirimit nga komisariati i policisë, ish-deputeti Ndocaj ka folur për mediat.

“Kam ardhur nga Italia, posaçërisht për këtë eveniment, pasi jam ftuar nga përgjegjësi i kulturës në Bashkinë e Lezhës.

Sapo ka mbërritur kreu i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, është dhënë urdhër që të më largojnë.  Ndaj meje është përdorur dhunë e unë së bashku me avokatin do bëjmë denoncim në Prokurori për rastin”, tha Ndocaj.

Policia shprehet se Ndocaj nuk ishte i ftuar në këtë aktivitet. Ndocaj i është përgjigjur forcave policore: “Kush ju ka thënë se unë nuk duhet të jem në këtë ceremoni”, iu ka thënë Ndocaj-policëve.

Forcat policore e kanë shoqëruar Ndocajn, sepse ky i fundit ishte pa ftesë në aktivitet.

Gjatë shoqërimit në komisariat, Eduard Ndocaj ka deklaruar se ka bërë operacion në Itali. Pasi është mbajtur për disa orë në komisariat në Lezhë, Ndocaj është lënë i lirë.