Ndahet nga jeta shkrimtarja dhe skenaristja e njohur Shpresa Vreto

Pasditen e sotme, shkrimtarja e njohur e librave për fëmijë dhe skenaristja Shpresa Vreto ka ndërruar jetë në moshën 76 vjeçare.

Ajo ka bërë disa skenarë për filmat artistikë dhe për filmat e animuar. Në vitin 1978 ka shkruar skenarin e filmit vizatimor “Mirela”, kurse në vitin 1981 së bashku me Xhanfizé Kekon kanë realizuar skenarin e filmit “Kur xhirohej një film”. Pas pesë vjetësh erdhi e vetme si autore në realizimin e filmit “Fillim i vështirë”.

Me Petrit Rukën ka bashkëpunuar në filmin “Një djalë dhe një vajzë” në vitin 1990. Disa nga librat që ka shkruar Vreto janë: “Shokë Shkolle”, “Vit i paharruar” etj. Pas viteve 1990 ka ideuar “Sirena e vogël” dhe “Bota ime”.

Gjithashtu ajo ka drejtuar një bibliotekë për fëmijë, për 12 vjet rresht.