Ndahet nga jeta “Mjeshtri i Madh”, Lulzim Balla, babai i moderatorit të njohur Sokol Balla

Ka ndërruar jetë në moshën 73 vjeçare Lulzim Balla, babai i gazetarit dhe moderatorit të njohur Sokol Balla.

Lulzim Balla ka punuar për më shumë se 43 vite si kameraman i Radio Televizionit Shqiptar, dhe ishte një nga figurat më të RTSH. Prej kohësh ai vuante nga një sëmundje e rëndë.

Lajmin e trishtë e ka dhënë vetë gazetari Sokol Balla, i cili është shprehur se ndarja me të atin ka qenë e dhimbshme por e qetë. Prej vitit 2011 Lulzim Balla mbante titullin “Mjeshtër i Madh”, dhënë nga presidenti i kohës Bamir Topi.

“Ndarja me babain, e dhimbshme dhe e qetë. Faleminderit për atë që bëri për mua. Nëse mendoni se kam diçka të mirë, ju siguroj e kam prej tij. Sa për vizitat: Është kohë pandemie. Jam i sigurt që Lul Balla do jetë në lutjet tuaja në distancë. Të gjallët takohen edhe më vonë. Të ruajmë distancën fizike, rëndësi ka afërsia shpirtërore.” – shkruan Sokol Balla.