NATO ia beson Shqipërisë Ministerialin e Mbrojtjes

NATO i ka besuar Shqipërisë, organizimin e Ministerialit të Mbrojtjes më 17 dhe 18 Qershor.

Ministrat e Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s miratuan në mbledhjen e Këshillit të Atlantikut në Bruksel propozimin e ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka, që Ministeriali i Mbrojtjes, në Qershor të këtij viti të mbahet në Tiranë.

Vendimi i Aleancës për tu takuar në Shqipëri është jo vetëm vlerësim maksimal për sigurinë që vendi ynë përcjell si një aleat i denjë, por edhe një mesazh i fortë i NATO për vëmendjen e saj ndaj Ballkanit Perëndimor e rolit të fortë që Shqipëria luan si faktor stabiliteti në rajon”, tha ministrja në përfundim të Ministerialit të Mbrojtjes, mbajtur në Bruksel në 12 dhe 13 Shkurt.

Por, sipas ministres Xhaçka, “takimi i rëndësishëm që pritet të mbahet në Qershor është njëherësh edhe përgjegjësi për tu përfaqësuar siç duhet në eventin më të madh që pas anëtarësimit tonë në NATO, 11 vjet më parë. Është një sipërmarrje që krahas koordinimit mes të gjitha institucioneve do të tregojë edhe seriozitetin tonë për të qenë për 48 orë kryeqendra e mbrojtjes dhe sigurisë në botë”.