Mundësitë e investimit, javën e ardhshme zhvillohet ankandi i obligacioneve 10-vjeçare

Javën e ardhshme, qeveria shqiptare do të organizojë ankandin për emetimin e obligacioneve me maturim 10-vjeçar. Shuma e ofruar e obligacioneve për shitje do të jetë pesë miliardë lekë. Obligacionet 1...
Mundësitë e investimit, javën e ardhshme zhvillohet ankandi i obligacioneve 10-vjeçare
Foto: Mundësitë e investimit, javën e ardhshme zhvillohet ankandi i obligacioneve 10-vjeçare

Javën e ardhshme, qeveria shqiptare do të organizojë ankandin për emetimin e obligacioneve me maturim 10-vjeçar.

Shuma e ofruar e obligacioneve për shitje do të jetë pesë miliardë lekë. Obligacionet 10-vjeçare janë një mundësi e mirë për ata investitorë që synojnë kthime më të larta nga investimi, në një periudhë kur normat e interesit ngelen pranë niveleve më të ulëta historike.

Këtu përfshihen investitorët institucionalë, si fondet e investimit dhe sidomos ato të pensioneve, që kanë një horizont kthimi afatgjatë. Por, në kushtet e sotme obligacionet 10-vjeçare mund të jenë një mundësi e mirë edhe për ata investitorë individualë që synojnë të maksimizojnë përfitimet nga kursimet e tyre. Obligacionet 10-vjeçare janë sot një nga instrumentet më fitimprurës që ofron tregu financiar në monedhën vendase. Në ankandin e fundit të këtyre instrumenteve që u zhvillua vitin e kaluar kuponi rezultoi 5%, nivel mjaft i kënaqshëm në raport me alternativat e tjera që ofron aktualisht tregu financiar.

Pjesëmarrja në ankandet e tregut primar të obligacioneve mund bëhet përmes ndërmjetësve të licencuar financiarë, që janë zakonisht bankat tregtare. Aktualisht në Shqipëri ka 13 shoqëri komisionere për investimin në tituj. Dhjetë prej tyre janë banka tregtare, që kryejnë edhe pjesën dërrmuese e volumit të transaksioneve të individëve.

Shuma minimale e lejuar për pjesëmarrje në ankandet e obligacioneve është 500 mijë lekë. Kërkesat mund të jenë konkurruese (duke kërkuar një yield të caktuar) ose jokonkurruese (pa kërkuar yield, por duke pranuar yield-in mesatar të ofertave konkurruese).

Shuma e ofruar e obligacioneve në ankande ndahet në 20% për kërkesat jokonkurruese dhe 80% për kërkesat konkurruese. Në rast se shuma totale e kërkesave jokonkurruese nuk e plotëson masën 20%, atëherë diferenca e paplotësuar ofrohet për kërkesat konkurruese. Në rastin kur shuma totale e kërkesave jokonkurruese e kalon kufirin e përcaktuar të 20%, atëhere mbi këtë shumë zbatohet pro-rata (pranohet një përqindje e caktuar për secilën ofertë jokonkurruese). Në rast se shuma e kërkesave konkurruese të kërkuara nuk e plotëson masën 80%, atëherë diferenca e paplotësuar u ofrohet kërkesave jokonkurruese.

Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, individët investuan rreth 12.9 miliardë lekë në borxhin e ri të emetuar nga qeveria shqiptare në tregun e brendshëm financiar për nëntë muajt e parë të vitit 2021. Blerjet e individëve në tregun primar të bonove dhe obligacioneve u rritën me 9.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm. Bonot e thesarit vazhdojnë të dominojnë investimet e individëve, me rreth 53% të blerjeve totale në tregun primar, për një vlerë prej rreth 6.8 miliardë lekësh. Por, krahasuar me vitin e kaluar vlera e investimit në bono ka rënë me 13%, ndërsa pesha e tyre specifike ka rënë me rreth 13 pikë përqindje. Ndërkohë, vlera e investimit në obligacione për nëntë muajt e parë të vitit 2021 arriti në 6.1 miliardë lekë, 54% më shumë krahasuar me një vit më parë. Obligacionet përbëjnë rreth 47% të investimeve totale të individëve në tregun primar të letrave të borxhit qeveritar./Monitor