“Mos kini më frikë”/ Budina thirrje nga Durrësi: Ky parlament duhet të shpërndahet sa më parë

Regjisori Edmond Budina u ka bërë thirrje qytetarëve të Durrësit dhe gjithë Shqipërisë që të ngrihen për të rrëzuar qeverinë, sepse ajo sipas tij po përpiqet të përçajë popullin.

Budina është shprehur durrsakëve se Parlamenti është i paligjshëm, ndaj nëse qytetarët ngrihen në protesta Presidenti do ta shpërndajë atë.

“Në 17 maj u vra demokracia, u vendos diktatura e mafies, prandaj ne jemi këtu, të protestojmë dhe ta përmbysim këtë klikë antikombëtare. A e kuptoni, ata vranë kujtesën kombëtare. Shikoni çfarë kanë bërë me Durrësin, e kanë betonizuar. E kanë shkatërruar kujtesën arkeologjike të këtij qyteti. Ne të gjithë duhet të ngrihemi, të protestojmë dhe ta largojmë këtë bandë. Ky parlament është i paligjshëm, duhet të shpërndahet sa më parë.

Presidenti e tha, nëse populli do të ngrihet i gjithi ai do ta shpërndajë parlamentin. Prandaj mos kini frikë, ngrini kokën. Ata përpiqen me çdo mënyrë dhe kusht që të futin përçarje mes popullit. Të ngrihemi dhe ta përmbysim këtë klikë.” – tha regjisori Edmond Budina nga Durrësi.