Mos e besoni po deshët! Shqipëria “klonon” 1484 “Ronaldo” dhe 336 “Lionel” (Messi)…

Futbolli është jo vetëm sporti më i ndjekur në botë, por edhe më magjiku, më ndikuesi te të rinjtë, sidomos. Nëse pyet djemtë e moshës deri në 10-15 vjeç se çfarë duan të bëhen kur të rriten, shumica e tyre do të të thonë pa frikë: Futbollistë. Natyrisht, për t’u bërë profesionist në këtë sport duhen shumë sakrifica, përkushtim dhe konsistencë në stërvitje. Gjithseskush ka idhullin e vet të madh në futboll, të cilit do të dëshironte t’i ngjante nëse e aplikon këtë sport, shkruan Telesport.

Nuk është sekret se edhe futbollistë me emër të sotëm ndjekin e studiojnë çdo lëvizje e veprim të një ylli në të kaluarën. Sepse ata kanë krijuar standarde, të lakmueshme për t’u arritur. Mjafton të përmendim këtu ikona si Pele, Maradona, Cruyff e shumë të tjerë, që nuk do të harrohen kurrë, se përmes futbollit mund të hysh në historinë globale.

Nëse nuk mund t’i aspirosh këto legjenda përmes fushës së blertë, atëherë do të mjaftohesh duke veshur një fanellë me emrin e tyre. Jo më kot fanellat e Cristiano Ronaldos, Lionel Messit e mjaft të tjerëve, në “Olimpin” e futbollit të sotëm, janë më të shiturat jo vetëm për tifozët e skuadrave respektive, por edhe te fëmijët e mbarë globit.

Idhujtaria në këtë rast është e paprecedentë, thuajse rivalizon atë për Zotin, krijuesin e gjithësisë. Nga ky këndvështrim, nuk është fare për t’u habitur që shqiptarët iu vendosin në masë emrat e këtyre yjeve të futbollit të porsalindurve të tyre. Sipas INSTAT, në vendin tonë, shumë fëmijë mbajnë emra futbollistësh të njohur, kryesisht të huaj.

Kështu, 1484 fëmijë e kanë emrin “Ronaldo” prej yllit portugez, pesë herë fitues i “Topit të Artë”; ndërsa 336 të tjerë “Lionel”, prej yllit argjentinas, që e ka fituar plot shtatë herë “Topin e Artë” dhe adhurohet në të gjithë botën. Natyrisht, vetë ata që e kanë emrin kështu nuk e kanë ditur se kush është Messi apo CR7, por prindërit e tyre janë ndikuar deri në këtë pikë, sa “t’i pagëzojnë” kështu.

Me siguri, askush nuk duhet të jetë i penduar pse i kanë “nominuar” kështu, përkundrazi. Po sipas INSTAT-it, “Ronaldo” prin bindshëm si emri më i përdorur i një futbollisti nga prindërit për fëmijët e tyre, plot 1484 herë. I dyti është emri i futbollistit legjendar brazilian, Romario. 539 djem në Shqipëri e kanë emrin kështu.

I treti është Lionel Messi, emrin e të cilit e kanë marrë 336 djem shqiptarë. Të inspiruar nag Kaka, ish-braziliani i Milanit dhe Real Madridit, 231 djem shqiptarë quhen “Rikardo”. Nuk mbetet pas as kapiteni legjendë i Milanit, i përjetësuar si emër “Paolo” në 221 djem shqiptarë.

Në këtë listë nuk mungojnë “Rivaldo” dhe “Maradona”, me përkatësisht 121 dhe 42 emra, ashtu sikurse Eusebio (27 emra) dhe Ronaldinho (13 emra). Një tjetër fakt që tregon se sa futbolldashës janë shqiptarët, më së shumti tifozë me klubet apo kombëtaret e huaja, sepse vetë nuk kemi këllqe për të garuar në finale kompeticionesh globale si Kupa e Botës, Kampionati Europian, Champions League etj. Sidoqoftë, mburremi me idhujt e huaj, qoftë duke iu vendosur emrin e tyre fëmijëve, qoftë duke veshur fanellat e tyre.