Moody’s vlerëson ekonominë shqiptare me “B1, me perspektivë të qëndrueshme”

Ekonomia shqiptare vlerësohet nga agjencia ndërkombëtare e vlerësimit të kredibilitetit (credit rating agency) Moddy’s, me “B1 – me perspektivë të qëndrueshme”.

Në “rifreskimin” më të fundit të opinionit të saj, publikuar në 30 Nëntor 2022, Moddy’s ri-konfirmon vlerësimin aktual të Shqipërisë, “B1 – me perspektivë të qëndrueshme”.

Agjencia vlerëson se rimëkëmbja ekonomike pas pandemisë ishte e fortë dhe Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) arriti nivelet e para-pandemisë që në vitin 2021. Barra e borxhit të qeverisë, pasi u rrit ndjeshëm në 74.5 % të PBB-së në vitin 2020, rifilloi trajektoren e saj rënëse në vitin 2021. Lidhur me sektorin bankar të Shqipërisë dhe rreziqet e likuiditetit të qeverisë, pritshmëritë e Agjencisë janë se ato do të mbeten të përmbajtura. Perspektiva e qëndrueshme mbështetet gjithashtu nga pritshmëritë në vazhdimësinë e politikave, veçanërisht në kontekstin e reformave në kuadër të procesit të pranimit në BE dhe imbalancave të jashtme të moderuara.

Pas një ngadalësimi të rritjes reale të PBB-së në 2.1% në 2019, krahasuar me një normë mesatare rritjeje prej 3.0 % gjatë pesë viteve të mëparshme (2014-2018), shpërthimi i koronavirusit ndikoi rëndë në përformancën ekonomike në vitin 2020.  Megjithatë, stabiliteti makroekonomik u ruajt. Tkurrja ekonomike gjatë 2020 ishte më e butë (me recension prej 3.5%) dhe rimëkëmbja në 2021 më e fortë se sa pritej fillimisht (me rritje reale prej 8.5%).

Agjencia parashikon një ngadalësim të rritjes së PBB-së në 3.0% në 2022 dhe 1.8% në 2023. Gjithashtu, në periudhën afat-gjatë, aftësia e vendit për të mbështetur procesin e konvergjencës së të ardhurave për banorë me vendet e BE-së do të varet nga suksesi i qeverisë në zbatimin e reformave strukturore dhe rritjen e konkurrencës në raport me vendet e tjera të rajonit.

Agjencia vlerëson hapjen formale të negociatave të anëtarësimit në avantazh të Shqipërisë, sepse do të nxisë zbatimin e reformës, e cila do të mbështesë fuqinë e saj institucionale. Kjo pritet të përmirësojë edhe mjedisin e përgjithshëm të biznesit.

Agjensia vlerëson se treguesit fiskalë kanë qenë në një trend gradual pozitiv që pas përkeqësimit të konsiderueshëm që patën në vitin 2013 për shkak të tejkalimeve të shpenzimeve në prag të zgjedhjeve parlamentare të qershorit të atij viti. Megjithatë, ndikimi i pandemisë ka rënduar në financat publike, duke e thyer përkohësisht këtë trend pozitiv, ndërkohë që rreziku i detyrimeve kontingjente mbetet i lartë. Në veçanti, rreziqet kryesore fiskale kontingjente të Shqipërisë lidhen me importet e energjisë elektrike të lidhura me motin, detyrimet kontingjente që rrjedhin nga sektori energjetik, nga zgjidhja e kërkesave për kthimin e pronave që rrjedhin nga periudha e komunizmit dhe nga rritja e financimeve jashtë buxhetore në formën e partneriteteve publike private (PPP) që janë përdorur si instrument për rritjen e investimeve publike.