Mjeshtri i skicimit të identitetit shqiptar/ Kush ishte Sali Shijaku

Nga Dorian Koçi

Lidhjet midis historisë, letërsisë së kultivuar, artit figurativ dhe formëzimit të identiteve kombëtare zënë numrin më të madh të studimeve për kombet e Evropës Qendrore dhe Lindore. Çështja e identitetit, dhe për këtë arsye edhe ngritja e një ndërgjegje kombëtare janë të lidhura ngushtë me historinë, letërsinë e kultivuar e kulturën. Kultura është një “model historikisht i transmetuar nga kuptimet e mishëruara në simbole, një sistem i koncepteve të trashëguara shprehur në forma simbolike me të cilat njerëzit komunikojnë, përjetësojnë dhe zhvillojnë njohuritë e tyre në lidhje me qëndrimet ndaj jetës” . Vepra e Sali Shijakut shfaqet në horizontin kulturor në Shqipëri rreth 40 vjet pas themelimit të shtetit shqiptar dhe duke trajtuar historinë e largët dhe të afërme të shqiptarëve me mesazhet e saj sendërton identitetit modern kombëtar të shqiptarëve. Në këtë rast nuk janë më tablotë e elitës evropiane të një shekulli më parë, si Eugen Delacroix, Edwar Lear, Gerome që rrëfejnë ngjizjen e identitetit kombëtar të shqiptarëve por është një vepër shumëngjyrëshe si ajo e Sali Shijakut me dy tonalitete kryesore: një për shqiptarët për të njohur veten, dhe një tjetër për të huajt për të shkatërruar paragjykimet e për ti njohur më mirë shqiptarët. Pasqyrimi i jetës folklorike të shqiptarëve bazuar në mozaik ngjyrash të papërsëritshëm dhe modernizëm rrëfeu kështjellën e mbijetesës së shqiptarëve përmes shekujve si popullsi dhe etni e dallueshme qartë nga fqinjët në Ballkan. Sali Shijaku duke eksporuar përjetimin e tij përreth së shkuarës historike të Shqipërisë në tablo historike, ka krijuar një epope historike që lidhet me të shkuarën dhe të tashmen e vendit të vet. Tabloja Mic Sokoli (1978) është pasyrim i volgeist-shpirtit të kombit, si do thoshte Herderi, një model i papërsëritshëm i Njeriut Shqiptar që ngrihet si vigan përmes pejsazhit gjithë re, i veshur me rroba tradicionale shqiptare, për të shprehur revoltën e lënies pas dore të shqiptarëve në fatin e vet dhe për të shkërmoqur jo vetëm një top dhe dy topçinjtë mjeranë osmanë, por gjithë Perandorinë Osmane. Në këtë rast tablotë historike të Shijakut shërbejnë si model narrative për përpunimet e para shkencore të historive kombëtare dhe si vektor i shkëlqyer i përhapjes së një vizioni të ri të së kaluarës.