Ministrja Koçiu: Urgjenca Kombëtare, rreth 400 misione në banesë dhe 2000 telefonata çdo ditë

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu zhvilloi sot një vizitë në Qendrën Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, ku falë investimeve është fuqizuar dhe modernizuar flota e mjeteve të ...
Ministrja Koçiu: Urgjenca Kombëtare, rreth 400 misione në banesë dhe 2000 telefonata çdo ditë
Foto: Ministrja Koçiu: Urgjenca Kombëtare, rreth 400 misione në banesë dhe 2000 telefonata çdo ditë

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu zhvilloi sot një vizitë në Qendrën Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, ku falë investimeve është fuqizuar dhe modernizuar flota e mjeteve të urgjencës paramjekësore me të gjithë mjetet jetëshpëtuese, duke iu përgjigjur mesatarisht në 15 minuta çdo thirrjeje për urgjencë mjekësore nga qytetarët në të gjithë territorin.

Ministrja theksoi se Urgjenca Kombëtare mbetet një nga boshtet kryesore dhe më të forta të sistemit shëndetësor, e cila kryen 350 deri në 400 misione në banesë dhe pret 1500 deri në 2000 telefonata në ditë nga i gjithë territori i vendit.

“Jeni zemra e sistemit shëndetësor sepse bëni një punë fantastike çdo ditë dhe jeni në atë linjën e parë të sulmit dhe të emergjencës”, – u shpreh Koçiu, ndërsa i falënderoi për angazhimin dhe përkushtimin e tyre të përditshëm.

Ministrja theksoi se “është domosdoshmëri që ta forcojmë sistemin e reagimit ndaj emergjencave, prandaj edhe diskutimet në këtë periudhë do të jenë intensive për të gjetur një model ngritur mbi këtë eksperiencë të deritanishme që të funksionojë akoma më shumë dhe më mirë”.

Gjatë takimit me drejtuesit dhe stafin e Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, u diskutua edhe për forcimin e masave për reagim dhe përgjigje të shpejtë dhe në kohë ndaj çdo emergjence, veçanërisht në zonat e përcaktuara si problematike si pasoje e motit të paqëndrueshëm.

Në buxhetin e ri 2024 është parashikuar nisja e ndërtimit të Qendrës së dytë Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, një investim që do të lehtësojë dhe mbështesë më tej mirëfunksionimin e urgjencës, por edhe për një përballim akoma dhe më të mirë të çdo emergjence të mundshme.