Ministri Peleshi reagon për krizën energjetike: Vetëm kur të dimë më shumë, do të kemi më shumë

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, me anë të një postimi të gjatë në Facebook, shprehet se “kriza energjetike që ka filluar të prekë ekonominë botërore, nuk vjen për mirë”.

Sipas tij, “ajo do të prekë financat tona dhe kjo nuk është as në dorën e qeverisë, as në dorën e opozitës shqiptare”.

“Kryeministri ka garantuar se menaxhimi i krizës do të bëhet me mjete dhe burime që nuk prekin çmimin e energjisë për konsumatorët dhe bizneset. Opozita nuk mund të pretendojë më tepër se kaq. Premtimet për dyfishim pagash, trefishim pensionesh, katërfishim subvencionesh apo zerim taksash, mbeten lojë populiste dhe spekulim. Si mund të rriten shpenzimet për paga, pensione, subvencione duke i ulur të ardhurat nga tatim-taksat në buxhet? Populistët nuk i përgjigjen asnjëherë pyetjes: “Si do ta bëni?”, por i përgjigjen me zell pyetjes: “Çfarë do të bëni?”. Veçse, çfarë duhet të bëjmë sot në Shqipëri nuk është rritja e pagave dhe pensioneve me urdhrin e peshkut, por është një politikë afatgjatë për rritjen e PRODUKTIVITETIT”, sqaron Peleshi në rrjetet sociale.

“E thënë thjesht, sa prodhojmë me burimet që kemi në dispozicion. Në të dhënat e Bankës Botërore për vitin 2015,(ndjesë për mungesën e të dhënave më të freskëta) në Shqipëri, një i punësuar prodhonte në vit mesatarisht 28.300 euro produkt të brendshëm bruto (GDP). Ndërkohë, në të njëjtin vit, një i punësuar në Bullgari prodhonte 40.000 euro GDP, në Kroaci 54.000, në Estoni 56.000 dhe në BE mesatarisht 81.000 euro GDP. Rritja e produktivitetit nuk është çështje masash. Produktiviteti ka disa fjalë kyçe të tjera, të ndryshme nga ato që propozon opozita në paketat magjike. Këto fjalë nuk janë rroga, pensione, subvencione, përjashtime nga taksat. Fjalët kyçe që lidhen me politikën afatgjatë për rritjen e produktivitetit janë: DIJE, INOVACION, TEKNOLOGJI. Nëse një fermer përdor dijen, pra nëse këshillohet me specialistët e duhur dhe përdor teknologji të kohës, vlera e produkteve të fermës së tij do të disafishohet”, shton Peleshi.

Sipas ministrit, “edhe në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare ne po rimodelojmë dijen në Akademi dhe Forcat e Armatosura, po investojmë në teknologji të reja dhe po ndërtojmë ekosistemin e inovacionit. DIJA, INOVACIONI dhe TEKNOLOGJIA janë rruga. Të tjerat janë humbje kohe në një Shqipëri që nuk ka asnjë minutë kohë për të humbur”.