Mimoza Hafizi nxjerr në treg romanin e dytë

Shkencëtarja Mimoza Hafizi pas humbjes në zgjedhjet për rektore e Universitetit të Tiranës, sot ka lajmëruar botimin e librit të saj. Hafizi një shkencëtare e fizikës shkruan se është e lumtur që romani i dytë shkencor, ia doli t’i shpëtojë grackës së angazhimeve të tjera.

Statusi plotë:

Jam e lumtur që romani im i dytë shkencor ia doli t’i shpëtojë grackës së angazhimeve të tjera. Mban titullin “INFINITI BLU”.

Ai do mundë të japë përgjigje sa herë t’ju ngacmojë ndonjëra nga pyetjet rreth pafundësisë e përjetësisë.

A është e pafundme Bota? Apo veç një strukturë gjigante, që soset diku. E si mbaron? Sa larg kemi mundur ta shohim me instrumentet tona?

A ka patur dikur një fillim? A do të ketë dikur një fund? Apo Bota ka qenë e do të jetë e përjetshme.

Sa imët mund ta copëtojmë lëndën? Po hapësirën? Pafundësisht? Apo ka një stad ku copëzimi ndalet. Sa thellë ka depërtuar imagjinata dhe dija shkencore?

A MUNDET MENDJA JONË TA KUPTOJË INFINITIN?

Apo jemi veç sqimatarë të pandreqshëm. Dhe mëkatarë mëndjelehtë.

Personazhet e “INFINITIT BLU”, disa gra e burra, vajza e djem, bija e bij inteligjentë të planetit tonë të brishtë, nuk do të mungojnë t’ju marrin pas vetes në kërkimin kurajoz të PAFUNDËSISË.

U prin e vërteta shkencore.

I shtyn dashuria e thellë njerëzore.

I tundon ethja e pavdekësisë.