Mianmar, vijojnë protestat pavarësisht viktimave

Protestuesit në disa qytete në mbarë Mianmarin kanë dalë sërish në rrugë, edhe pas shtypjes së dhunshme nga ushtria dhe policia. Organizata e Kombeve të Bashkuara e ka cilësuar si “shtypje të egër” pë...
Mianmar, vijojnë protestat pavarësisht viktimave
Foto: Mianmar, vijojnë protestat pavarësisht viktimave

Protestuesit në disa qytete në mbarë Mianmarin kanë dalë sërish në rrugë, edhe pas shtypjes së dhunshme nga ushtria dhe policia.

Organizata e Kombeve të Bashkuara e ka cilësuar si “shtypje të egër” përgjigjen e autoriteteve ndaj protestave, ku janë vrarë mbi 50 protestues, që prej puçit ushtarak të 1 shkurtit.

Komisionerja për të drejtat e njeriut në OKB, Michelle Bachelete, tha më 4 mars se të paktën 54 persona janë vrarë dhe mbi 1.700 janë burgosur që prej grushtit të shtetit.

Ushtria “duhet të ndalë vrasjet dhe burgosjet e protestuesve”, tha Bachelete, duke këmbëngulur se “është e neveritshme që forcat e sigurisë po shtënë në drejtim të protestuesve paqësorë në mbarë vendin”.

Vetëm më 3 mars, u vranë të paktën 38 persona dhe dëshmitarët, por edhe videot e publikuara shfaqin se si forcat e sigurisë kanë përdorur gaz lotsjellës, plumba gome, por edhe kanë shtënë me armë zjarri, me qëllim që të shpërndajnë protestuesit.

Pavarësisht se mbi 50 protestues janë vrarë, mijëra qytetarë dolën në rrugën e Mianmarit më 4 mars.

Policia raportohet se ka hapur zjarr ndaj protestuesve në qytetin Yangon dhe Monywa dhe ka përdorur gaz lotsjellës.

Mianmari – që njihet ndryshe edhe si Birmani – po përballet me protesta të mëdha që prej se ushtria mori pushtetin dhe burgosi lideren de fakto të vendit, Aung San Suu Kyi dhe lidershipin e partisë së saj.

Që prej puçit, qindra persona janë arrestuar, përfshirë edhe gazetarë.

Puçi ushtarak në Mianmar ka nxitur kritika nga shtetet perëndimore dhe disa shtete tashmë kanë vendosur sanksione ndaj liderëve të juntës ushtarake.

Britania ka thirrur një mbledhje të Këshillit të Sigurimit të OKB-së më 5 mars, për të diskutuar për situatën në Mianmar.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se po shqyrtojnë masa shtesë kundër juntës, ndërkaq Bashkimi Evropian tha se goditja me armë zjarri e cilëve të paarmatosur padyshim se përbën shkelje të ligjit ndërkombëtar./REL