Teksa politika dhe Sistemi i drejtësisë në Shqipëri, ziejnë si tenxhere me presion, Ulsi Manja, ka thirrur mbledhjen e Komisionit Hetimor për shkarkimin e Ilir Metës. Këto ditë ka qenë në Fokus përplasja mes Presidentit dhe mazhorancës në lidhje me ringritjen e Gjykatës Kushtetuese, dhe mesa duket beteja do të jetë e ashpër, për jetë a vdekje.
Kjo mbledhje e Komisionit Hetimor, mësohet se do të zhvillohet më 22 Nëntor dhe do të administrohet nga opinioni paraprak dhe final i ardhur nga Komisioni Venecias.

Komisioni i Venecias është shprehur në mes të muajit Tetor në lidhje me çështjen e shkarkinit të Presidentit. Në opinionin final të tij, thuhej se në mungesë të dispozitës ligjore në lidhje me zgjedhjet, Presidenti mund t’i anulonte ato vetëm në kushtet e një situate të jashtëzakonshme. Gjithsesi edhe në rastet e tilla duhet të ekzistojë një bazë ligjore specifike për shtyrjen e zgjedhjeve vendore. Anulimi i zgjedhjeve njihet dhe si shkelje e të drejtave të njeriut, pasi ndikon në të drejtën elektorale, e drejtë kjo e njohur nga konventat ndërkombëtare të së drejtave të njeriut.
Gjithashtu në raport thuhet se “Presidenti mund të ketë tejkaluar kompetencat e tij kushtetuese duke anuluar dhe shtyrë zgjedhjet lokale përtej mandatit zgjedhor të autoriteteve lokale pa një bazë të veçantë ligjore – megjithatë, këto akte mund të mos plotësojnë kriteret e kërkuara të një serioziteti të mjaftueshëm për shkarkimin e Presidentit”. Përpos këtij raporti, ky komision ja ka lënë në dorë Parlamentit dhe Gjykatës Kushtetuese fatin e presidentit./ apel.media