Mësim me prezencë fizike në Maqedoninë e Veriut

Ministrja e Arsimit, Mile Carovska duke u bazuar në numrin e infektimeve të nxënësve nëpër shkolla, bëri të ditur se shifrat shënojnë rënie, pasi sipas saj, vetëm gjatë ditës së djeshme ka pasur 0.01 % të infektuar.  Ajo njoftoi se dikasteri të cilin ajo e udhëheq nuk ka asnjë indikacion për të ndryshuar modelin e procesit të mësimit.

“Epidemiologët, Komisioni për Sëmundjet Infektive janë në monitorim e sipër të procesit edukativo arsimor, informacioni merret prej tyre, ashtu siç merret nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, dhe ata veprojnë në bazë të komunave, rajonit, shkollës. Ka 240 mijë nxënës në shkollë, dhe dje numri i nxënësve pozitivë në shkollë është 0.01, që është një përqindje vërtet shumë e ulët”.

Ajo u bëri thirrje drejtorëve, mësuesve, prindërve që të respektojnë protokollet, me të vetmin qëllim që të mbrojnë fëmijët, t’u sigurojnë atyre të drejtën për arsimim, që është një e drejtë themelore e fëmijëve. Sa i përket rekomandimeve nga Avokati i Popullit, Carovska vuri në dukje se protokollet, si dhe plani i punës dhe tre skenarët u miratuan në një seancë të qeverisë në koordinim me Komisionin për Sëmundjet Infektive, në korrik.

 “Aktualisht po zbatojmë skenarin e prezencës fizike në shkollë, për të gjithë nxënësit në të gjithë territorin përveç Tetovës dhe Gostivarit që fillojnë të hënën e ardhshme me mësime me prezencë fizike, për të njëjtin dje qeveria mori të njëjtin vendim. Protokollet janë miratuar nga Komisioni dhe si të tillë praktikohen në detaje, nëse ka nevojë për ndryshimin e tyre, jam e sigurt që Komisioni do të na lajmërojë, por deri më tani ne nuk kemi një gjë të tillë”.

Carovska njoftoi se vendi ynë është duke i zbatuar protokollet që njëkohësisht janë në fuqi në shumë vende të botës, madje edhe më të zhvilluarat. Ajo tha se deri tani janë vaksinuar mbi 74% e mësimdhënësve.