Merrte rryshfete për të liruar të dënuarit, pezullohet nga detyra drejtori i Burgut të Beratit

Gjykata e Beratit ka pezulluar nga detyra Drejtorin e Burgut të Beratit, Hiqmet Këlliçi.

Gjykata e Beratit ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Rrethit Berat për marrjen e masën ndaluese ndaj Këlliçit dhe ka urdhëruar pezullimin e ushtrimit të detyrës së tij si drejtori i IEPV Berat, deri në përfundimin e procesit gjyqësor në ngarkim të tij.

Hiqmet Këlliçi akuzohet për “Kryerje të Veprimeve Arbitrare” ndaj një të burgosuri që vuante dënimin në IEPV Berat.

SHKB ka përcjellë në Gjykatë në maj të këtij viti dosjen hetimore në ngarkim të tij.

Sipas ShKB-së së Burgjeve, Hiqmet Këlliçi, akuzohet se favorizonte të dënuarit për “liri me kusht” në këmbim të rryshfeteve.

Në dosjen hetimore në ngarkim të tij thuhet se, ai nuk i dëmtonte të dënuarit që, sipas tij, duhet rë përfitonin “liri me kusht”, edhe kur ata kryenin shkelje të ndryshme.

Në dosjen hetimore thuhet gjithashtu se, Këlliçi ka shpërdoruar detyrën duke shfrytëzuar autoritetin e tij si drejtues institucioni për rastet e sipërpërmendura, që sipas SHKB-së janë me dhjetëra.