Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, prej 1 Qershorit të vitit që vjen do të ketë akses në listën e të gjithë shtetasve shqiptarë, të cilët kanë para në llogari bankare jashtë vendit. Duke përfshirë këtu dhe paratë që janë të mbyllura në llogari bankare, në shtetet që etiketohen dhe si “parajsa fiskale”. Nga ana tjetër do të ketë transparencë dhe në lidhje me shtetasit e huaj, të cilët kanë llogari në Shqipëri.
Shqipëria në vitin 2012 ka nënshkruar konventën ndërkombëtare për ndihmën në çështjet tatimore. Kjo konventë ka si qëllim luftën ndaj evazionit fiskal, në gjithë botën. Ndërsa parashikon shkëmbim të informacionit fiskal mes 130 vendeve të botës.
Pasi kaloi periudha prej 8 vitesh, Shqipëria tashmë është e detyruar që të kryeje edhe shkëmbimin automatik të informacionit. Ndër të tjera në lidhje me këtë çështje pritet dhe miratimi i një ligji të veçantë nga ana e Parlamentit.
Duke iu referuar draftit, të gjitha bankat , që veprojnë në Shqipëri brenda datës 30 Maj të vitit 2020, janë të obliguara që të raportojnë pranë drejtorisë së përgjithshme të tatimeve, llogaritë bankare të çdo shtetasi të huaj, rezident në 130 vendet që kanë nënshkruar konventën.
Ndërsa ky shkëmbim informacioni do të funksionojë po njëlloj edhe në 129 shtetet e tjera, veç Shqipërisë, të cilat kanë nënshkruar konventën./ apel.media