Merkel: Turqia, rol kyç në emigracionin e paligjshëm

Gjatë vizitës së kancelares në largim Angela Merkel në Jeruzalem ajo ka folur për rolin e Turqisë në luftën kundër emigracionit të paligjshëm.

“Ju nuk mund ta injoroni Turqinë. Turqia ,anëtare e NATOS  luan një rol të rëndësishëm për BE -në në luftën kundër emigracionit të paligjshëm në Evropë. Turqia ka ambicie të mëdha dhe ndodhin shumë zhgënjime në këto marrëdhënie. Për çështjet kryesore,edhe nëse qëndrimet ndryshojnë, ju prapë duhet të gjeni marrëveshje pragmatike. Ne duhet të vazhdojmë të flasim me njëri –tjetrin”.

Merkel tha se politika e jashtme është një përzierje vlerash dhe interesash dhe se duhet një punë e madhe për të gjetur ekuilibrin e duhur. Qeveria e Erdogan ka përforcuar kufirin lindor me Iranin me ushtri, xhandarmëri, polici dhe me një mur të ri, i cili filloi të ndërtohej që nga viti 2017.

Sipas të dhënave në vitin 2019 u ndaluan të hyjnë përmes këtij kufiri rreth 74.500 persona  dhe mbi 5 mijë të tjerë u arrestuan. Në 2020 më shumë se 127500 persona tentuan të kalojnë kufirin në mënyrë të paligjshme ndërsa në 6 muajt e parë të këtij viti më shumë se 51 mijë persona tentuan të hyjnë në territorin turk.