Mega-korrupsioni i Unazës së Re/ Partia Demokratike bën kallzim penal

Partia Demokratike ka depozituar ditën e sotme në Prokurorinë e Tiranës kallzim penal për projektin e Unazës së Re.

Padia është depozituar nga ish-deputeti Klevis Balliu dhe sekretari për çështjet ligjore në PD, Çlirim Gjata dhe përmes saj Partia Demokratike i kërkon prokurorisë nisjen e hetimeve dhe pezullimin e punimeve deri në përfundimin e hetimeve.

Ish-deputeti Klevis Balliu ka akuzuar drejtpërdrejt edhe kompaninë e ndërtimit, e cila sipas tij është e përfshirë në afera korruptive.

“Unë ju bëj një pyetje dhe ju ftoj të më jepni një përgjigje. Si ka mundësi që kompania Salillari e cila është aktualisht nën hetim tek loti nr.2, ka fituar tenderin tek loti nr 1, i të njëjtit projekt? Dhe këto prova ia kemi dërguar Prokurorisë. Prokuroria duhet të nisë menjëherë hetimet dhe të pezullojë punimet tek Unaza e Re.

Këtu po bëhet fjalë për jetë njerëzish. Po kalohet nga një mision për unazën, në mision humanitar”,- deklaroi ish-deputeti./apel.media