Mediu: Ringritja e opozitës nis nga bashkimi në Parlament dhe komunikimi mes 2 PD-ve

Fatmir Mediu e thotë qartë se sistemi politik në Shqipëri është shkatërruar nga Edi Rama, me blerjen e votës dhe manipulimin e saj. Por ndryshe nga zoti Berisha, ai sheh se përgjegjësia kryesore bie m...
Mediu: Ringritja e opozitës nis nga bashkimi në Parlament dhe komunikimi mes 2 PD-ve
Foto: Mediu: Ringritja e opozitës nis nga bashkimi në Parlament dhe komunikimi mes 2 PD-ve

Fatmir Mediu e thotë qartë se sistemi politik në Shqipëri është shkatërruar nga Edi Rama, me blerjen e votës dhe manipulimin e saj. Por ndryshe nga zoti Berisha, ai sheh se përgjegjësia kryesore bie mbi opozitën.

Duke nisur që në vitin 2015 deri në gabimet e bëra më keto zgjedhje.

“Rama shkatërroi sistemin kushtetues ligjor. Kemi intimidim të votuesve, blerje të votës. Kemi republikë kryeministrore. Por pse jemi në këtë situatë? Për shkak të veprimeve idioteske të opozitës, të nisura nga “Reforma Territoriale“, veprimet e gabuara në “Reformën për Drejtësi“ për vettingun, marrëveshjen e 2017 që shkatërroi marrëdhënien e koalicionit opozitar, pastaj me djegien e mandatave, duke i dhuruar Edi Ramës ndryshim Kushtetute, Kodi Zgjedhor dhe në fund duke mos hyrë më zgjedhje lokale, duke ia lënë Ramës pushtetin lokal. Por a janë të mjaftueshme për të thënë se e ka fajin Edi Rama? Ne duhet të marrim masat paraprake që të minimizojmë efketet e manipulimit. Dhe efekti i parë është pjesëmarrja e lartë. Por pamë që në këto zgjedhje kjo nuk ndodhi. PD e ndarë ka ndikuar në mospjesëmarrjen e qytetarëve në zgjedhje”- tha zoti Mediu, gjatë një interviste për emisionin “Pa Censurë”.

Kreu i PR ishte kritik për vendimet e marra nga Berisha dhe Meta, që çuan në moskoordinimin me partitë dhe faktorët e tjerë opozitarë, që morën rreth 170 mijë vota në zgjedhje. Ai nuk është dakord me thirrjet për mosnjohjen e zgjedhjeve, por përkrah idenë e zotit Berisha për një front opozitar.

“Secili në opozitë duhet të ketë kontribut për të ulur palët në tryezë. Duhet të ndodhë një bashkim i PD-së edhe duke qenë të ndryshëm”- thotë zoti Mediu, i cili propozon edhe një platformë sesi mund të funksionojë opozita.

“Hapi i parë që duhet të ndodhë është bashkim në parlament. Duhet të gjejmë një figurë që na përbashkon të gjithë deputetëve me siglën e PD-së, në aksionin politik dhe elektoral në parlament, duke nisur nga Reforma Elektorale. Pra, duhet një njeri që arrin të koordinojë të ndryshmet.”- thotë zoti Mediu, duke theksuar se nuk mund të ketë më të përjashtuar.

“Zoti Berisha apo deputetët e tjerë të përjashtuar kanë peshë elektorale. Pa këtë peshë, ne nuk fitojmë, pa një marrëdhënie të qenësishme në parlament, ku secili ka peshën e vet, nuk fitojmë dot, do të kemi të njëtat situata të moskuptimit me njëri-tjetrin. Kjo figurë, të paktën nga ana proceduriale, përcakton vendin e gjithësecilit si në veprimtarinë parlametare, në komisione apo marrëdhëniet ndërkombëtare. Hapi i dytë, duhet një komunikim mes zoti Berisha nga një anë dhe personit që do të jetë në drejtim nga ana tjetër. Ky komunikim duhet të jetë në planin politik opozitar. Marrëdhënia politike e opozitës duhet të jetë një lloj konfederate apo federate, që duhet shtrirë përtej lidershipit qendror, si dhe duhet krijuar një grup negociator për marrëdhëniet ndërkombëtare”- tha kryetari i PR, Fatmir Mediu, në emisionin “Pa Censurë” në RTSH.