EKSKLUZIVE APEL/ Mediu i kërkon Bashës megakoalicion opozitar: Bashkë me Patozin dhe Topallin për të rrëzuar Ramën

Kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu i është përgjigjur ftesës së Astrit Patozit për krijimin e një koalicioni kundër enstablishmentit Rama, Basha dhe LSI.

Në një prononcim për Apel Media, republikani bëri thirrje për krijimin e një megakoalicioni opozitar, pjesë e të cilit të jenë edhe Patozi me Topallin.

“’Të përbashkëtën” e mendoj pak më të madhe sesa thjesht dy parti”, është shprehur Mediu, duke shtuar se Rama ikën me votë, për këtë arsye palët opozitare duhet të maksimizojnë votat së bashku që të marrin mandatet e nevojshme për largimin e Ramës.

Ju prezantuat listën tuaj të kandidatëve dhe tashmë jeni në negociata me Bashën, çfarë kërkoni nga Basha për arritjen e një marrëveshje paraelektorale?

Unë nuk kërkoj asgjë nga Basha dhe nga askush tjetër. Kërkoj që ne të ndërtojmë një raport reciprok për të fituar zgjedhjet bazuar mbi peshën elektorale të të gjitha partive politike në rang qarku dhe për të diskutuar në mënyrë të përbashkët pastaj për listat e hapura.

Kur arrihet kjo marrëveshje, a keni caktuar afate?

Unë nuk kam caktuar ndonjë afat, por sa më shpejt aq më mirë.

Patozi iu ka shtrirë dorën e bashkëpunimit, a keni në konsideratë që t’iu bashkoheni partive kundër establishmentit Rama, Basha dhe Kryemadhi?

Unë ju thash që jam në diskutim me Partinë Demokratike. Kam 30 vjet me PR dhe me PD së bashku. Uroj dhe shpresoj që të kuptojnë si unë, Patozi, Topalli, Basha dhe të gjithë të tjerët që Shqipëria ka nevojë për një koalicion të madh. Madje do ta ndjeja veten shumë mirë në qoftë se pjesë e këtij koalicioni të madh do të ishte edhe Patozi me Topallin. Pastaj çështjet dhe gjykimet personale… ne nuk mund të shkëputemi nga realiteti, por besoj që qëllimi më i madh është largimi i këtij regjimi të korruptuar.

Pikërisht dhe qëllimi i këtij grupimi partish, të paktën mesa kanë deklaruar publikisht, është largimi i këtij regjimi të korruptuar. Ju pyes nisur nga ‘qëllimi i përbashkët’, a do të pranonit ofertën dhe t’iu bashkoheshit?

Këtë po them, thjesht “të përbashktën” e mendoj pak më të madhe sesa thjesht dy parti, kështu që besoj se edhe zoti Patozit dhe Topalli, që kanë një historik politik me të djathtën duhet që të jenë pjesë e koalicionit të madh për të marrë maksimumin e koalicionit të votave dhe siguruar të gjitha mandatet e nevojshme për të ikur Edi Rama, sepse Rama nuk ikën me fjalë ikën me votë./ Apel.Media