Mediat gjermane: Merkel në Ballkan, sinjal për BE

Vizita e Kancelares gjermane Angela Merkel në Tiranë, ku u takua me liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe më herët në Beograd ishte një porosi e saj e fundit para se t’i japë fund karrierës së saj politike, se Europa nuk duhet ta lërë në plan të dytë strategjinë e zgjerimit drejt Ballkanit Perëndimor.

Ky është thelbi i një analize të së përditshmes gjermane “Tagesspiegel”, që thotë se vizita e Merkelit dy kryeqytetet ishte një përpjekje për të tërhequr edhe një herë vëmendjen e Bashkimit Europian që të mos e braktisë strategjinë e zgjerimit drejt këtij rajoni. Sipas autorit Albrecht Meier, për Unionin nuk mund të jetë zgjidhje, ta lërë Ballkanin Perëndimr nën ndikimin në rritje të Kinës, Rusisë dhe Turqisë.

Paralajmërimet që Kancelarja gjermane bëri nga Tirana që BE të mos vazhdojë t’i bëjë bllokadë Ballkanit Perëndimor ishin në fokus të pasqyrimit të gjerë që mediat gjermane i bënë këtij udhëtimi që është ndër vizitat e fundit të Merkelit, 6 ditë para zgjedhjeve të përgjithshme të 20 Shtatorit. 

Një mesazh ndoshta edhe për qeverinë pasardhëse për të mos e ndryshuar politikën miqësore të këtyre viteve të Berlinit ndaj rajonit. Sondazhet tregojnë se qeveria e re mund të drejtohet nga socialdemokratët, që po ashtu janë promotorë të fuqishëm të politikave të zgjerimit të unionit drejt Ballkanit Perëndimor.