‘Më bëri për ujë të ftohtë’, Oprah tregon situatën e sikletshme me aktoren e njohur

Oprah Winfrey ka një karrierë të suksesshme si pronare e medias, drejtuese e programeve televizive, aktore, producente dhe filantrope dhe njihet për intervistat e saj me personalitete të njohura.

Së fundmi, 67-vjeçarja nuk ngurroi që të pranonte se është penduar për një pyetje që i ka bërë një ylli shumë të madh të botës së kinematografisë.

Në një podcast ku ishte e ftuar, ajo foli për emisionet dhe faktin se sa shumë kanë ndryshuar tani. Po ashtu, ajo zbuloi se kishte pyetur aktoren e famshme Sally Field se nëse partneri i saj i atëhershëm gjithashtu një aktor, Burt Reynolds e hiqte paruken kur flinte.

“Ishte një gabim i madh. Edhe tani që e them unë dridhem. E pyeta vetëm sepse producentët më quanin kështu. Ishte ajo që të gjithë donin të dinin. Kështu që unë e bëra atë. Dhe ajo më bëri për ujë të ftohtë. Unë e meritoja këtë reagim. Ishte një pyetje e papërshtatshme “, u shpreh Oprah.

Kujtojmë se aktori, Burt Reynolds kishte pranuar në intervista se gjithmonë mbante një paruke, sepse flokët e tij ishin të hollë. Ndërkohë, në vitin 2018, disa vjet para se të vdiste, ai kishte deklaruar se nëse do të mund të ia niste nga e para, do të mbante pamjen e tij natyrale, pa paruke.