Mbikëqyrja e tregjeve, AMF kërkon konsulencë në kuadrin e projektit 1.4 mln USD të Bankës Botërore

Banka Botërore do të vijojë mbështetjen për forcuar kapacitet mbikëqyrëse të tregjeve të kapitalit nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF). Ministria Financave dhe Ekonomisë (MFE) ka hapur një procedurë për shprehje interesi me qëllim prokurimin e shërbimeve të konsulencës për AMF. Shërbimet e konsulencës do të kërkohen në funksion të forcimit të kapaciteteve rregullatore dhe mbikëqyrëse, por edhe me qëllim nxitjen e zhvillimit të tregjeve të kapitalit, nëpërmjet përmirësimit të edukimit dhe stimulimit të novacionit financiar.

Faza e dytë e projektit për forcimin e kapaciteteve mbikëqyrëse të tregjeve të kapitalit nga AMF ka një vlerë prej 1.4 milionë dollarësh amerikanë dhe po financohet nga Sekretariati Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO).

Ndërkohë, këtë javë AMF njoftoi se ka nisur punën grupi i përbashkët “Për hartimin e strategjisë për zhvillimin e tregut të kapitaleve”. Veç autoritetit që rregullon tregjet financiare jo bankare, pjesë e këtij grupi pune do të jetë edhe MFE.

Sipas njoftimit të AMF-së, grupi i punës do të analizojë situatën aktuale të tregut të kapitaleve dhe do të hartojë një dokument strategjik 5-vjeçar, shoqëruar me një plan konkret veprimi, për përmbushjen e hapave të nevojshme për zhvillimin e tregut të kapitaleve.

Në planin e veprimit do të përcaktohen edhe hapat për listimin në Bursë të shoqërive me kapital shtetëror. Ky plan veprimi parashikohet të hartohet brenda datës 30 nëntor 2020.

Prej shkurtit 2018, Shqipëria ka një bursë titujsh operative, por aktiviteti i saj ende ngelet i kufizuar në tregtimin dytësor të titujve të qeverisë shqiptare. Në dekadën e fundit është regjistruar një rritje e ndjeshme e tregut të fondeve të investimit, që ka arritur kufijtë e 4% të PBB-së, por, për fondet në lekë, ky treg ngelet kryesisht i kufizuar në instrumentet e borxhit të qeverisë shqiptare. Mungesa e kompanive private të listuara në Bursë i kufizon ndjeshëm alternativat e investimit financiar, megjithëse disa ndërmarrje tashmë po aplikojnë emetim të instrumenteve të borxhit me ofertë private. /Monitor