Mbi 1 milionë të vdekur nga COVID-19 në botë

Numri i njerëzve që kanë humbur jetën nga COVID-19 në botë ka arritur në mbi 1 milion, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins. Numri i të infektuarve në gjithë botën është më shumë se 33 milion.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara,Antonio Guterres duke shprehur dëshpërimin për këtë shifër, i bëri thirrje botës që ta kapërcejë sfidën që paraqet pandemia dhe të mësojë nga gabimet e fillimit të saj.

Ndërsa pandemia arriti këtë shifër të zymtë, një zyrtar i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), tha se ky numër mund të jetë edhe më i lartë.

“Shifrat e raportuara, ka mundësi që nuk përfaqësojnë realitetin e individëve të prekur nga COVID-19 apo që kanë vdekur prej tij”, tha krye-eksperti i OBSH-së për emergjenciat në një konferencë shtypi në Gjenevë.

Ka shenja në rritje se shumë vende janë në prag të një vale të dytë të pandemisë, veçanërisht Shtetet e Bashkuara që është vendi me numrin më të lartë të rasteve, 7.1 milionë, përfshirë 205,000 të vdekur.