“Mbështetja për sektorin e bujqësisë, e shtrirë nga A te Zh”, Rama ‘thumbon’ opozitën: Ndryshimi me të shkuarën, si nata me ditën

Kryeministri Edi Rama në një konferencë për shtyp me tematikë “Ekonomia në fokus” ka folur për mbështetjen e dhënë nga qeveria për sektorin e bujqësisë në vend.

Gjatë fjalës së tij para gazetarëve, Rama tha se para se të vinte në pushtet raporti eksport-import ishte 7 me 1, ndërsa tani ky raport është 3 me 1, ndërsa theksoi se mbështetja për këtë sektor do të rritet.

“Nëse e shohim sektorin me sytë e të ardhmes, nuk jemi aty ku duam, nëse e shohim me sytë e të shkuarës, ndryshimi është si nata me ditën. Ka shumë për të përmirësuar, por duhet të shkojmë përpara për të mos u ndalur, për të mos bërë mbrapa, sepse nuk ka kohë as për pushim, as për të ndryshuar rrugë. Kjo është rruga qartësisht e drejtë dhe faktet e shifrat flasin. Nuk ka formula magjike dhe e vetmja formulë për t’i bërë gjërat të ndryshojnë dhe për ta bërë ndryshimin të prekshëm për të gjithë është puna. Puna këmbëngulëse me durim.

Dua të përqendrohem në një rezultat, që besoj i shpjegon të gjitha. Kur ne kemi nisur këtë rrugë Shqipëria importonte 7 dhe eksportonte 1, sa i përket prodhimeve bujqësore, ndërsa sot raporti është 3 me 1. Gjysma e asaj që importohej më parë është zëvendësuar me atë që prodhohet në vend. Kjo tregon se kemi një rritje të konsiderueshme të prodhimit në vend. Nga ana tjetër, nuk ka se si të jetë ndryshe, kur toka e punuar, që prodhon, është dyfishuar në sipërfaqe krahasuar me 7 vite më parë, si rezultat i investimeve masive që janë bërë për të çuar ujin atje, por si mbështetje edhe për të gjithë ata që punojnë tokën.

Sot, nëse shohim të gjithë elementet e mbështetjes, që qeveria garanton për njerëzit që punojnë tokën, mbështetja është e shtrirë nga A te Zh. Me dhënien e naftës falas për fermerët në sasinë e barabartë me çka atje paguanin për taksën e qarkullimit, për taksën e mjedisit dhe për akcizën brenda çmimit të naftës, faktikisht mbështetja është e strukturuar në të gjithë elementet e vet, njësoj si në vendet e BE. Mbështetja do vijë duke u rritur, por kjo rritje bazohet te mundësitë, dhe këto të fundit rriten me punë. Rritja e vendeve të punës cilësore, me paga më të mira, dhe rritja e pagave në tërësi, është vetëm rezultat i rritjes së mundësive”, tha Rama.