Mbështetja dhe zhvillimi i SME-ve të prekura nga pandemia, Gjermania fond shtesë prej 10.5 mln euro për Shqipërinë

Gjermania ka alokuar një fond shtesë prej 10.5 milionë eurosh për bashkëpunimin ekonomik dhe teknik mes dy vendeve për periudhën 2020-2021, në mbështetje të Shqipërisë së prekur nga pandemia e COVID-19.

Fondi është i përqendruar veçanërisht në mbështetjen ndaj SME-ve, zhvillimit dhe promovimit të tyre, por edhe zonave rurale dhe arsimit profesional. Këtë deklaroi ambasadori gjerman Peter Zingraf, gjatë takimit me ministren e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj, ku u diskutua mbi intensifikimin e bashkëpunimit shqiptaro – gjerman gjatë vitit 2020.

“Rritja e angazhimit dhe mbështetja në situatat e tërmetit dhe pandemisë janë dëshmi e bashkëpunimit të fortë dypalësh/ Prioritetet e përbashkëta dhe orientimi i punës së Qeverisë dhe partnerëve gjermanë në sektorët më me peshë në ekonomi dhe në jetën e qytetarëve kanë qenë kyç në bashkëpunimin e vazhduar.” theksoi Ministrja Denaj.

Denaj, nga ana e saj, informoi Ambasadorin dhe përfaqësuesit e Ambasadës Gjermane për vendimet e fundit të qeverisë mbi programet e punësimit dhe nxitjen e riintegrimit në tregun e punës të qytetarëve të larguar, si pasojë e COVID-19 dhe mbi nismat fiskale në mbështetje të sektorit privat, me fokus biznesin e vogël. Ajo solli në vëmendje përpjekjet dhe angazhimin e Qeverisë dhe të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për mbarëvajtjen e financave publike, pavarësisht situatave të krijuara nga tërmeti dhe pandemia.

Ministrja Denaj dhe Ambasadori Zingraf diskutuan edhe mbi klimën e biznesit dhe nevojën e përhershme të dialogut publik-privat.

Denaj shprehu gatishmërinë e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për të trajtuar çdo sugjerim të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë në vend, dhe për çdo propozim të mëtejshëm në raport me rritjen e investimeve të huaja direkte në vend.

Së fundmi, palët vlerësuan ecurinë e reformave që po ndërmerren në kuadër të integrimit të Shqipërisë në BE edhe gjatë Presidencës së Gjermanisë në Këshillin e Bashkimit Europian. /Monitor

📌Me Ambasadorin Peter Zingraf diskutuam mbi zgjerimin e bashkëpunimit shqiptaro-gjerman 🇩🇪dhe sfidat e përbashkëta që…

Gepostet von Anila Denaj am Montag, 10. August 2020