Mbahet në Tiranë Samiti i Tretë i Grave të Biznesit të Diasporës

Dhoma e Biznesit të Diasporës Shqiptare organizon po mban sot Samitin e Tretë të Grave të Biznesit të Diasporës. Tema e këtij viti “Gruaja për Zhvillim të Qëndrueshëm” do të mbledhë bashkë rreth 100 gra sipërmarrëse të suksesshme shqiptare dhe në Diasporë.

Nënkryetarja e dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare Znj.Elisabeta Katiaj shprehet se ky samit i tretë synon të ofrojë mbështetje për sipërmarrëset e Diasporës dhe komunitetin lokal të biznesit. ”Është e rëndësishme që femrat sipërmarrëse të mbeten të angazhuara dhe të lidhura me drejtuesit e biznesit për mbështetje të vazhdueshme, ndarjen e përditësimeve të tregut si dhe evidentimin e mundësive dhe praktikave më të mira. Ky Samit do të ofrojë një mundësi dhe platformë unike për t’u lidhur me liderët e biznesit dhe sipërmarrësit. Pjesëmarrësit mund të përftojnë informacione për tregje të reja, mundësi biznesi dhe investimi; ata mund të marrin këshilla dhe mbështetje në lidhje me çështjet që prekin aktualisht bizneset e tyre dhe gjithashtu të zbulojnë se si të rrisin bizneset e tyre” ,tha Katiaj.

Nëpërmjet prezantimeve dhe diskutimeve në panele, të pranishmit do të përfitojnëë informacione me vlerë në lidhje me mundësitë për të bërë biznes në Shqipëri, si dhe do të njihet me histori frymëzuese të grave që janë bërë të suksesshme në biznes dhe që tani shërbejnë si model për të tjerët.

Pjesë e diskutimeve do të jenë Z. Lazim Destani, President Nderi i Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare, z. Ardian Lekaj, Kryetar i Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare, Atifete Jahjaga, presidentja e parë Grua e Kosovës, Liza Gashi, Zëvendësministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, znj. Valbona Zeneli, Drejtore e Iniciativave Strategjike, George C. Marshall, Qendra Evropiane për Studime të Sigurisë, Gjermani, znj. Rudina Jasini, Pedagoge, Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Oksfordit, Mbretëri e Bashkuar, Anila Hyka Smorgrav, Këshilli Koordinues i Diasporës, Francë, Znj. Besmira Uruçi, Zëvendës Presidente, Dhoma e Tregtisë Shqipëri-Luksemburg, Znj. Mirela Mezani, Presidente, Women Alb World, Zvicër, etj.

Ky aktivitet realizohet në bashkëpunim me Qendrën për Ndërmarrjet Ndërkombëtare Private (CIPE), Qendrën për Fuqizimin Ekonomik të Grave (CËEE), Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Ministrin e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes./DSH