MB: Rusia ka të ngjarë të shtojë sulmet ndaj objektivave civile në Ukrainë

Granatimet ruse goditën qytete dhe qyteza në një shtrirje të gjerë gjatë natës, thanë zyrtarët të dielën, ndërsa Ministria Britanike e Mbrojtjes paralajmëroi se Rusia ka të ngjarë të rrisë sulmet e saj ndaj objektivave civile ndërsa pëson disfata në fushën e betejës.

“Në shtatë ditët e fundit, Rusia ka rritur shënjestrimin e saj ndaj infrastrukturës civile edhe aty ku ndoshta nuk percepton asnjë efekt të menjëhershëm ushtarak”, tha ministria në një konferencë në internet. “Ndërsa përballet me pengesa në vijën e frontit, Rusia ka të ngjarë të zgjerojë vendet që është e gatshme të godasë në një përpjekje për të minuar drejtpërdrejt moralin e popullit dhe qeverisë ukrainase”.

Granatimet gjatë natës goditën një spital në qytetin e Mykolaiv, një port i rëndësishëm i Detit të Zi, tha guvernatori rajonal Vitaliy Kim. Ai tha se bombardimet goditën gjithashtu pjesë të tjera të rajonit, duke plagosur dy persona.

Tre persona u plagosën në granatimet e natës të qytetit të Nikopolit, i cili ndodhet përtej lumit nga stacioni më i madh bërthamor në Evropë, tha guvernatori rajonal Valentyn Reznichenko.

Centrali bërthamor Zaporizhzhia me gjashtë reaktorë u kap nga forcat ruse në mars, por operohet nga inxhinierë ukrainas. Reaktori i tij i fundit u fikur një javë më parë pas ndërprerjeve të përsëritura të rrymës, sepse granatimet vënë në rrezik sistemet thelbësore të sigurisë.

Në rajonin e Kharkiv, ku një kundërofensivë ukrainase detyroi trupat ruse në një tërheqje masive nga pjesa më e madhe e rajonit, tre persona u vranë nga sulmet me raketa gjatë ditës së kaluar, duke përfshirë një vajzë 11-vjeçare, sipas guvernatorit rajonal Oleh Syniehubov.

Pesë persona vdiqën gjatë ditës së kaluar në sulmet ruse në rajonin e Donetskut, një nga dy rajonet ukrainase që Rusia i njeh si shtete sovrane, tha guvernatori Pavlo Kyrylenko.

Forcat separatiste që kontrollojnë pjesën më të madhe të Donetskut të dielën pretenduan se granatimet ukrainase të një kolonie të të burgosurve të luftës në Olenivka vranë një të burgosur dhe plagosën katër.

Më shumë se 50 të burgosur u raportuan të vrarë në një sulm të korrikut në burgun Olenivka për të cilin autoritetet ruse dhe ukrainase fajësojnë njëra-tjetrën.

Një institut me bazë në Uashington, Instituti për Studimin e Luftës, tha se forcat ruse në Donetsk vazhdojnë të kryejnë “operacione të pakuptimta” në fshatra në vend të përforcimit të vijës së frontit.