Mat/ Plagos dy vëllezër me thikë, policia shpall në kërkim shtetasin G.B., i dyshuar si autor i ngjarjes

Policia e Matit bëri të ditur se një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e sotme në mesditë në Burrel, ku dy vëllezër janë plagosur me thikë.

Ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Koliqit”. Të plagosur nga ky sulm kanë mbetur shtetasit A.K dhe K.K., të cilët janë dërguar për ndihmë mjekësore në spital. Njëri prej vëllezërve pritet që të niset drejt Tiranës, pasi gjendja e tij shëndetësore paraqitet më e rëndë.

Shtetasi G.B., i cili dyshohet se ka goditur me thikë dy vëllezërit, është shpallur në kërkim nga policia.

“Rreth orës 14.50, në qytetin e Burrelit, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Koliqit”, në rrethana ende të paqarta, dyshohet se gjatë një konflikti të çastit, janë dëmtuar me mjet të mprehtë (thikë) shtetasit A.K dhe K.K., banues në Burrel, të cilët janë dërguar për ndihmë mjeksore në spital. Në vendngjarje kanë shkuar menjëherë shërbimet e policisë, dhe vijon kontrolli i zonës për kapjen e shtetasit G.B., i cili dyshohet se ka goditur me thikë dy vëllezërit.Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.“, njofton policia.