Marrëveshja Shqipëri-Itali për pensionet/ Senatori Nannicini: Përfitojnë mbi 700 mijë shqiptarë

Senatori Italian Tommaso Nannicini, që ndërmori nismën për njohjen e pensioneve të Shqiptarëve, në një intervistë ekskluzive me Kryeredaktoren e Lajmeve Mimoza Haxhiaj, tregon për Radio Televizionin Shqiptar se kush përfiton nga kjo marrëveshje. Sipas tij, fondi i destinuar për këtë marrëveshje, mund të jetë i vlefshëm nga data 1 janar 2023.

Senatori Nannicini është optimist me nënshkrimin e kësaj marrëveshje, ndërsa thotë se do të kemi edhe bisedimet teknike për përcaktimin me të dy institutet e sigurimeve shoqërore, qoftë atë italian qoftë atë shqiptar, për një bazë të dhënash, pra për të gjitha kërkesat dhe të gjitha shumat përkatëse.

Intervista e plotë:

Pyetje: Një lajm shumë i mirë, Shqipëria dhe Italia kanë përfunduar negociatat teknike të marrëveshjes së pensionit, kjo është një marrëveshje me karakter politik, pra nuk është thjesht një marrëveshje teknike?

Senatori Nannicini: Sigurisht është një lajm shumë i mirë, është një lajm shumë i bukur për të gjithë shtetasit, për të gjithë punëtorët shqiptarë të cilët kanë punuar për shumë vite në Itali dhe nuk u është njohur asnjëherë e drejta e tyre për të përfituar pensionet. Është vullneti politik dhe kjo falë edhe një ndryshimi që i është bërë ligjit të bilancit të buxhetit të shtetit italian i cili ka akorduar një fond shtesë prej 200 milionë eurosh pikërisht për të përballuar shpenzimet që rrjedhin nga nënshkrimi i kësaj marrëveshje. Negociatat u kryen nëpërmjet dy palëve, dy delegacioneve, që kishin në përbërjen e tyre përfaqësinë politike dhe tashmë duke filluar që nga viti 2023, shtetasit shqiptarë, por edhe ata italianë, më në fund mund të përfitojnë pensionet, një e drejtë kjo që u ishte mohuar prej vitesh.

Pyetje: Ishte një përpjekje shumë e gjatë dhe pothuajse e pamundur, sa shqiptarë duhet të përfitojnë nga hyrja në fuqi e kësaj marrëveshje?

Senatori Nannicini: Nuk kemi një numër të saktë për momentin, por bëhet fjalë për qindra mijëra shtetas të cilët për vite u janë mohuar të drejtat e tyre për përfitimin e një pensioni dhe uroj që në vitin e ardhshëm, në vitin 2023, ata që i kanë përmbushur kushtet në përputhje dhe me rregullat dhe normativat që janë në fuqi mes dy vendeve përkatëse, të mund të përfitojnë të drejtën e pensionit dhe sigurisht ky numër do të ndryshojë ndër vite sepse të gjithë ata punonjës që do të vijojnë në veprimtarinë e tyre të punës ndër vite, në momentin që do të arrihet mosha e pensionit, mund të përfitojnë pensionin e tyre falë kësaj marrëvshje.

Pyetje: Sa vite punë duhet të ketë një qytetar me kontribute të rregullta për të hyrë në skemën e pensioneve dhe a vlen kjo për të dy vendet, si për shtetasit shqiptarë në Itali dhe shtetasit Italianë në Shqipëri?

Senatori Nannicini: Aktualisht një shtetas shqiptar i cili ka punuar në Itali për 19 vite, nuk mund të përfitojë pensionin sepse legjislacioni italian parashikon që për të përfituar pensionin duhet të ketë kryer 20 vite veprimtari pune, pra duhet të kesh punuar për 20 vite, ndërsa në Shqipëri duhet të kesh punuar për të paktën 15 vite në mënyrë që të gëzosh të drejtën e pensionit, tashmë me nënshkrimin e kësaj marrëveshje, do të mundësohet që shtetasit shqiptarë apo shtetasit italianë të cilët kanë punuar 15 vite apo 19 vite në Itali dhe 10 vite në Shqipëri, do të mblidhet pra kjo periudhë në të dy shtetet në mënyrë që të përfitohet kontribut, një kontribut sipas legjislacionit shqiptar dhe një kontribut sipas legjislacionit italian. Për ta thjeshtuar këtë, n.q.s. një shtetas shqiptar ka punuar për 19 vite për momentin nuk përfiton asnjë pension ne Itali. Nëse shtetasit shqiptarë mund të kenë punuar në Shqipëri 5 vite sigurisht që nuk përfiton pension në Shqipëri sepse thamë që duhet të kesh punuar të paktën për 15 vite. Atëherë këto 19 vite, plus 5 vite mblidhen së bashku dhe në total bëjnë 24 vite, pra mund të përfitosh pensionin në të dy vendet në përputhje me kontributet që ke derdhur.

Pyetje: Kush do të përfitoje nga kjo marrëveshje. A ka kategori te caktuara?

Senatori Nannicini: Nuk ka kategori të caktuara sikundër nuk ka kushte apo edhe kufizime. I vetmi kusht është se shtetasit shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Itali apo shtetasit italianë që jetojnë dhe punojnë në Shqipëri, të kenë derdhur rregullisht kontributet në shtetet përkatëse. Në qoftë se ata në, bazë të atyre kufizimeve që thamë 20 vite kontribute në Itali dhe 15 vite kontribute në Shqipëri, nuk i kanë të plotësuara për momentin dhe nuk përfitojnë asgjë, me nënshkrimin e kësaj marrëveshje dhe me hyrjen në fuqi të saj, nesër do të mund të përfitojnë pensionet e tyre në baze të kontributeve që ata kanë derdhur.