Marrëveshja në Kuvend, Çuçi: Pika të përbashkëta kufitare mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të kenë pika të përbashkëta kufitare sipas të njëjtit model që kemi parë edhe me Kosovën, kështu u shpreh ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, gjatë fjalës së mbajtur sot në Kuvend për miratimin e kësaj marrëveshjeje. Sipas tij, operimi përmes pikave të përbashkëta kufitare lehtëson lëvizjen e njerëzve dhe mallrave mes dy vendeve. Më poshtë, fjala e plotë e ministrit Çuçi.

Marrëveshja që kemi sjellë sot për miratim, e lidhur mes qeverive të Republikës së Shqipërisë dhe asaj të Maqedonisë së Veriut, ka të bëjë me ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar.

Eshtë një marrëveshje që krijon një instrument që do të lehtësojë jashtëzakonisht shumë, qoftë kalimin e shtetasve midis dy vendeve, ashtu edhe të mallrave dhe shërbimeve.

Njëherësh kjo marrëveshje do të përmirësojë kushtet për një kontroll më inteligjent të pikave të kalimit kufitar, duke i sjellë ato sado pranë në linjë me standardet e BE-së.

Kjo marrëveshje është iniciuar, diskutuar dhe bashkërenduar midis palëve, duke marrë parasysh fluksin gjithmonë dhe më në rritje të qarkullimit të shtetasve dhe mallrave ndërmjet dy vendeve tona. Ne besojmë se kjo do të përmbushë synimin për përmirësimin e infrastrukturës së transportit rajonal dhe të hapësirës më të gjerë europiane.

Kjo është një marrëveshje kuadër për të gjitha Pikat e Kalimit Kufitar, që ne kemi me Maqedoninë e Veriut dhe krijon bazat në parim për vendosjen dhe funksionimin e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut. Që do të thotë, në të gjitha pikat që ne kemi me MV, do të ketë vetëm një sportel kontrolli.

Siç e dini, janë 6 pika të kalimit kufitar, ku do të zbatohet kjo marrëveshje; Bllatë, Qafë Thanë, Xhepisht/Trebisht që në fakt ka një lehtësim edhe sot që flasim, Tushemisht, Liqeni i Pogradecit dhe Goricë.

Marrëveshja është e bazuar në modele të tjera që ne kemi edhe me shtete të tjera dhe që e kemi përgatitur bashkë me  konsultimin e Misionit PAMECA në vendin tonë.

Qëllimi kryesor është thjeshtëzimi dhe përshpejtimi i verifikimit kufitar në mënyrë që të lehtësohet qarkullimi i shtetasve dhe mallrave midis dy vendeve.

Marrëveshja vjen njëherësh dhe në mbështetje të Strategjisë Ndërsektoriale të Menaxhimit të Integruar të Kufirit 2021-2027 dhe Planit të Veprimit për dy-vjeçarin e parë që kemi miratuar në kohët e fundit.

Objektivat kryesorë janë:

-Së pari, ajo që thamë pra, lehtësimi i qarkullimit të shtetasve dhe mallrave si në pjesën e regjistrimit edhe në atë të kontrollit;

-E dyta, rritja e bashkëpunimit për përmbushjen e interesave të përbashkëta të sigurisë, dhe shkëmbimin e  shpejtë të informacionit;

-E treta, forcimi i kapaciteteve logjistike për zbulimin e dokumenteve të falsifikuara të udhëtimit;

-E katërta, forcimi i kapaciteteve profesionale të rojeve kufitare;

-E pesta, përmirësimi i infrastrukturës në pikat e kalimit kufitar me qëllim krijimin e kushteve që sigurojnë kalim të lehtësuar të shtetasve dhe mallrave;

-Dhe së fundi, kontrolli i cilësisë të zbatimin të ligjit, për menaxhimin e kufirit dhe sjellja e policëve dhe doganierëve të përfshirë në kontrollin kufitar dhe doganor, të kryhet në përputhje me aktet ligjore në fuqi dhe standardet e BE-së;

Të nderuar kolegë besoj se çdokush e ka të qartë që kjo marrëveshje synon gjithashtu dhe forcimin e lidhjeve tashmë tepër të ngushta që kemi me fqinjin tonë Maqedoninë e Veriut, dhe besojmë se kjo i shërben edhe përpjekjeve tona të përbashkëta në rrugën e integrimit në BE dhe gjithashtu nismës për Ballkanin e hapur që mbështetet nga të dy vendet tona.

Synimi i përbashkët i dy vendeve dhe dy qeverive tona është njëherësh garantimi i lirisë së lëvizjes së njerëzve dhe mallrave, por dhe goditja e krimit ndërkufitar dhe përballimi i çdo tentative për migracion të parregullt.

Në mbyllje, të nderuar kolegë, ju ftoj ta miratojmë këtë marrëveshje dhe kam besim se jo vetëm për shkak të traditës që kemi tashmë në këtë parlament do ta votojmë të gjithë pa dallim përkatësie politike.